E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie “Blushi”, tërhiqet Malaj, socialistët zgjedhin më 26 shtator mes Ramës dhe LakroritNga Tema Më 26 shtator do të zhvillohet procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të PS, sipas parimit “Një anëtar, një votë”. Në garën për këtë post p

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Bie “Blushi”, tërhiqet Malaj, socialistët zgjedhin më 26 shtator mes Ramës dhe LakroritNga Tema

Më 26 shtator do të zhvillohet procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të PS, sipas parimit “Një anëtar, një votë”. Në garën për këtë post përballen kryetari aktual i PS, Edi Rama, si dhe Maqo Lakrori, një prej themeluesve të PS. Arben Malaj deklaroi tërheqjen nga gara, vetëm pak minuta pasi shpalosi platformën e tij në Kongres. Malaj tha se u tërhoq nga gara, pasi kishte dëgjuar fjalimin e kryetarit socialist, Rama, prej të cilit ishte ndjerë i fyer. Malaj u shpreh se për të marrë këtë vendim ishte konsultuar më parë me mbështetës të tij në PS, por kishte kryer një takim edhe me përfaqësues të OSBE. Arben Malaj tha dje se në fjalimin e tij Edi Rama e kishte konsideruar armik, dhe se për këtë arsye Malaj deklaroi tërheqjen nga gara, duke theksuar se nuk mund të hyjë në një garë armiqsh.

***

Një dokumentar me të gjitha parregullsitë e konstatuara nga PS gjatë procesit zgjedhor të 28 qershorit ka hapur punimet e Kongresit të djeshëm të socialistëve. Për rreth 30 minuta në dokumentar janë shfaqur disa pamje, ku bëhet fjalë për mospjesëmarrjen në votime të rreth 250 mijë zgjedhësve, mospastrimin e listave nga dublikimet, votimin familjar, presionin e ushtruar në disa qendra votimi. Më pas kryetari i Asamblesë, Gramoz Ruçi, paraqiti axhendën e Kongresit, diskutimin dhe analizimin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.

Bie paketa Blushi

Në nisje të Kongresit grupi i mbështetësve të Ben Blushit ka kërkuar që të ndryshohet rendi i ditës dhe të hidhet në votim paketa me ndryshimet në statutin e PS. Ben Blushi kërkoi transparencë ndaj publikut, ndërsa mediet nuk ishin të pranishme në sallë. Propozimi i Blushit është hedhur në votim dhe ka marrë vetëm 31 vota nga 1500 delegatë të Kongresit socialist. Në një situatë të tensionuar kanë nisur diskutimet nga delegatë të Kongresit. Ben Blushi është shprehur mjaft ashpër në diskutimin e tij duke e cilësuar Edi Ramën si shkaktar kryesor të humbjes në zgjedhjet e 28 qershorit. Blushi u shpreh se një ndër arsyet pse PS humbi ishte edhe mos-kandidimi i Ramës për deputet dhe hezitimi i tij për t’u përballur me kundërshtarin politik në debat gjatë fushatës elektorale. Blushi u shpreh se Rama nuk ka aftësi të negociojë dhe për këtë PS humbi. Blushi tha se në këtë Kongres Rama po zgjat mandatin e vjetër dhe nuk po merr një mandat të ri. “Për fat të keq PS rrezikon të dalë më e dobët pas këtij Kongresi, sepse nuk është me hapin e shoqërisë. Shoqëria kërkon një parti të hapur, demokratike, funksionale, e cila të thotë të vërtetën siç ka ndodhur apo e cila ballafaqon të vërtetat brenda saj. Kjo gjë po mohohet dhe natyrisht që PS sot është më e dobët se dje. Për fat të keq zoti Rama duke thyer statutin, të cilin e ka propozuar vetë dhe sipas të cilit mandati i kryetarit, i cili humb zgjedhjet, ndërpritet, nuk ka arsye të riciklohet duke pretenduar se do zgjidhet për 4 vjet. Pra, duke lexuar statutin sipas interesit të vet po grabit kryetarin e PS. Edi Rama po i grabit PS kryetarin e vet. Këto janë shkelje të rënda, me të cilat unë nuk mund të pajtohem dhe vazhdoj të flas. Një parti politike rrezikon imazhin e vet, dhe jo vetëm kaq, por dhe kohezionin e brendshëm, në rast se bashkohet rreth një njeriu, i cili shkel kontratën me të tjerët. Është njësoj sikur shoqëria të bashkohet rreth një njeriu, i cili shkel ligjin. Në qoftë se PS amniston shkeljen e statutit, vë në pikëpyetje ekzistencën e vet”, - tha Blushi. Debatet në sallën e Kongresit kanë vazhduar për disa orë, ku dhe janë pozicionuar në dy grupe kundërshtare sipas preferencave. Disa figura të rëndësishme të PS, si Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Servet Pëllumbi, Pandeli Majko, Ermelinda Meksi etj., janë pozicionuar në mbrojtje të Ramës, duke u përqendruar tek akuzat ndaj Berishës për manipulim të zgjedhjeve të 28 qershorit. Ata kanë mbrojtur rezolutën e Kongresit, e cila parashikon mosnjohje të zgjedhjeve, ndërsa kanë hedhur poshtë pretendimet e Blushit dhe mbështetësve të tij në PS për paketën e ndryshimeve në statut dhe pretendime të tjera të tyre që kanë të bëjnë me përgjegjësitë që duhet të mbajë Rama për humbjen në zgjedhjet e 28 qershorit. Mbështetësit e Ramës janë shprehur se ndryshimet në statut janë të nevojshme, por koha për t’i kryer ato nuk është tani, por më vonë. Në seancën e dytë Kongresi i socialisteve hapi garën për 3 kandidatët për kryetar partie, Edi Rama, Arben Malaj dhe Maqo Lakrori.

Platforma Lakrori

Maqo Lakrori shpalli i pari kandidaturën në garën për kreun e partisë. Ai u përqendrua në nevojën për bashkimin e së majtës dhe kthimin e solidaritetit brenda radhëve të PS. Premtimi kryesor i kandidatit Lakrori ishte ndryshimi në radhët e PS, si dhe angazhimi për bashkimin e së majtës. “Propozoj ndryshime në reformimin e Partisë Socialiste. Duhet të ndahemi nga kulti i individit, e majta duhet të bashkohet”, - tha Lakrori. Ai theksoi gjithashtu se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë një domosdoshmëri për vendin. Pak muaj më parë, Maqo Lakrori propozoi një platformë për bashkimin e së majtës, për të hyrë në zgjedhjet e 28 qershorit të bashkuar, gjë e cila, sipas tij, do të garantonte fitoren e sigurt.

Platforma Rama

Kryetari në detyrë i PS, Edi Rama, ishte i fundit nga tre kandidatët që shpalli platformën e tij për ri-kandidim në këtë post. Ai u përqendrua te manipulimi i zgjedhjeve të 28 qershorit duke theksuar se PS e fitoi këtë betejë, por Berisha dhe aleatët e tij të rinj, Meta e Nano, e manipuluan rezultatin. Rama ka sulmuar kundërshtarët e tij në PS, duke kërkuar nga Kongresi të përqendrohet te sensibilizimi i procesit të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe jo tek ato që ai i quan telenovela e PS. “Unë e kam propozuar vendosjen në statutin tonë të nenit që parasheh ndërprerjen e mandatit dhe dorëheqjen e kryetarit të partisë, kur partia humbet zgjedhjet e përgjithshme. Pa asnjë dyshim, në kushte normale, ky nen i propozuar prej meje nuk nënkupton rikandidimin e kryetarit, por e vërteta shqiptare e 28 qershorit mua më thotë se s’ka asnjë lidhje humbja e zgjedhjeve të përgjithshme në kushte normaliteti demokratik me mosardhjen në pushtet, pikërisht për shkak të mungesës të standardeve demokratike. Nuk ka humbur në një votim të lirë dhe të ndershëm të popullit shqiptar projekti politik që unë udhëhoqa, por është mundur në një përplasje krejt të pabarabartë me pushtetin e shtetin bashkë forca jonë politike. Sikur të dyshoja qoftë edhe një fije të vetme në këtë të vërtetë e të mos e kisha këtë bindje të plotë, nuk do të isha sot këtu për të kërkuar ta pranoni kandidaturën time për ta udhëhequr Partinë Socialiste të Shqipërisë. Me gjithë krimin elektoral, kryeministri i fundit komunist i këtij vendi nuk e nxori do të parën partinë e tij. Ne dolëm partia e parë në një betejë të pabarabartë, jo të lirë dhe jo të ndershme, por prapëseprapë u mundëm. Ne e bëmë PS kurban për dasmën e shpifur të Sali Berishës me Ilir Metën, të cilët bashkë me Fatos Nanon duan ta kthejnë politikën e këtij vendi në një rreth të mbyllur interesash që nuk kanë të bëjnë asgjëkund me interesat e shqiptarëve dhe prandaj kërkojnë me çdo kusht kthimin e PS në një vathë”, - tha Rama.

Platforma Malaj

Arben Malaj premtoi në platformën e tij të kandidimit se socialistet, nën drejtimin e tij, do të bashkohen me të gjithë të majtët e tjerë dhe do të jenë gati që në zgjedhje të parakohshme të konkurrojnë bindshëm si një forcë e shpresës. Por ai kushtëzoi konkurrencën e tij me ndershmërinë e garës së pritshme. Malaj tha se zgjedhjet vendore të radhës duhet të shërbejnë si një provë që zgjedhjet e 28 qershorit 2009 janë të deformuara dhe të tregojnë realisht që ky deformim na çoi në një rezultat që duhet të ishte më i mirë. Ai u shpreh se PS duhet të përqendrojë energjitë në sfidat e së ardhmes dhe jo në reliktet e së shkuarës. “Të dyshosh te kolegët dhe të përdorësh dyshimin tënd te mungesa e përgjegjësisë së tyre do të thotë ta cenosh rëndë solidaritetin, si parakusht i një force politike. Kërkesa jonë për transparencë ishte në funksion të zhvillimeve të këtij Kongresi. PS ka ngecur në stacionin e të qenit në opozitë për të dytën herë. PS duket se nuk po gjen kurajën qytetare, kurajën politike për të trajtuar më me vizion sfidat e saj. Kufizimi i transparencës përballë publikut, provokimi i qëndrimeve ndaj medies duke i etiketuar si proqeveritare apo jo-suportive për PS, nuk mund të fshehë një krizë, por e bën atë më të thellë. Ne e dimë se transparenca duhet të jetë aleate e çdo fitoreje, prandaj protestojmë dhe prandaj mendojmë se nuk është e vështirë të luash me solidaritetin socialist. Është e lehtë të përballosh sfidat dhe është më e lehtë t’i përballosh ato përballë publikut. Të kujtohesh për publikun vetëm për mitingjet elektorale dhe t’ia mbyllësh mundësinë që të gjykojë për zhvillimet e brendshme të një force politike, të një bashkimi vullnetar, kjo është kriza e lidershipit të PS”, - tha Malaj.

Rezoluta

Kongresi i PS miratoi dje rezolutën e Asamblesë Kombëtare të PS, në të cilën theksohet mosnjohja e zgjedhjeve të 28 qershorit. Një grup delegatësh të Kongresit kanë propozuar radikalizmin e qëndrimit, duke kërkuar që PS të bojkotojë parlamentin. Por Gramoz Ruçi ka kërkuar që ky qëndrim t’i lihet Kryesisë dhe Asamblesë Kombëtare për ta rivlerësuar ditët në vazhdim, pasi parlamenti dhe grupi parlamentar i PS janë një mjet për të mbërritur në qëllimin e PS, transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe zgjedhjet e parakohshme. “Duke pasur parasysh rezolutën, duke pasur parasysh që vendimet e saj, janë gjithsej 5, duke i konsideruar zgjedhjet e 28 qershorit një mundësi e humbur, që nuk kanë përmbushur standardet demokratike. Së dyti, të vlerësojë rezultatin e këtyre zgjedhjeve të papranueshëm, si një shprehje e deformuar e vullnetit të zgjedhësve. Së treti, të konsiderojë me legjitimet të cunguar institucionet politike që dalin nga ky parlament. Së katërti, distancohemi hapur në çdo rrugë dhe përpjekje për të imponuar PS dhe opozitën në tërësi nga ky qëndrim. Së pesti, afirmojmë vullnetin e palëkundur të PS për të bërë deri në fund transparencën e plotë të procesit zgjedhor dhe mbi të gjitha instrumentet ligjore e kushtetuese të shprehin pozicionin e plotë të forcës politike për zgjedhje të parakohshme. Është kjo rezoluta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›