E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Shqipëri kanë ardhur më pak kosovarë e maqedonasNga MonitorPas një sezoni shumë të mbarë të një viti më parë, është pritur se viti 2009 do të sillte në Shqipëri një “bum” turistik. Ardhjet e shumta të turistëve maqedonas dhe atyre kosovarë gjatë v

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Në Shqipëri kanë ardhur më pak kosovarë e maqedonasNga Monitor

Pas një sezoni shumë të mbarë të një viti më parë, është pritur se viti 2009 do të sillte në Shqipëri një “bum” turistik. Ardhjet e shumta të turistëve maqedonas dhe atyre kosovarë gjatë verës së vitit 2008 dhanë “shpresa” të mira për një sezon edhe më të mirë, por duket se nuk ndodhi kështu. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Policisë së Kufirit, turistët më potencialë në Shqipëri, kosovarët dhe maqedonasit, i kanë reduktuar hyrjet e tyre në vendin tonë gjatë sezonit veror.

Në periudhën qershor-gusht në Shqipëri kanë hyrë 8% më pak shtetas maqedonas se e njëjta periudhë e një viti më parë, me një numër total prej 155 mijë shtetasish. Ndërkohë është reduktuar edhe numri i hyrjeve të kosovarëve, me rreth 5%, me një total hyrjesh prej 124 mijë shtetasish gjatë periudhës qershor-gusht 2009. Për të shtuar turistët nga këto vende, duket se nuk ka mjaftuar as përmirësimi i infrastrukturës, sidomos rruga Durrës-Kukës apo rruga e bregdetit, e gjitha e asfaltuar tashmë.

Duket se Shqipëria vazhdon të mbetet një shtet interesant për t’u vizituar nga të huajt, edhe perëndimorë, por kjo vetëm për 1-2 ditë. Sipas përfaqësuesve të bashkive të qyteteve bregdetare, evropianët kanë mbërritur nga Greqia për vizitë njëditore ose kanë zbarkuar me jahtet e tyre për një fundjavë në brigjet shqiptare.

Operatorët turistikë dhe ata bashkiakë rendisin një sërë arsyesh se pse ky sezon “dështoi” të arrinte nivelet e një viti më parë.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Zef Preçi, shumë turistë të huaj janë zhgënjyer, kur në një kohë krize globale në Shqipëri çmimet e hoteleve kanë qenë të njëjta me një vit më parë apo edhe më të larta. Kjo ka ndodhur në një kohë kur mjaft shtete me potencial turizmin, i kanë ulur çmimet për vizitorët. Eksperti Selim Belortaja thotë se Shqipëria nuk mund jetë kurrsesi një vend konkurrues për turistët e huaj, në një kohë kur cilësia lë për të dëshiruar dhe është e ulët edhe në raport me vendet e tjera të Ballkanit.

Një efekt tjetër negativ, me ndikim të madh, është infrastruktura, sidomos brenda qyteteve bregdetare. Në qytetin e Vlorës, thuajse të gjitha rrugët e brendshme dhe ato që të çojnë deri në Ujin e Ftohtë, janë të paasfaltuara. Ky sigurisht është një fenomen që nuk ndeshet, nëse shkon të pushosh në Kroaci, Turqi apo Greqi.

“Efekt negativ kanë dhënë oraret shumë të shkurtra për jetën e natës, që largoi atë pjesë të pushuesve që i përket moshës së re”, - thotë për revistën “Monitor”, drejtori i Turizmit në Bashkinë e Vlorës, Ilir Metaj.

Në një kohë kur qeveria mburret se në vend është rritur numri i turistëve, pak flitet apo mendohet për taksat që duhet të vilen prej tyre. Një nga taksat më të rëndësishme për turizmin, që vilet në çdo vend të botës, është ajo e fjetjes. Por në Shqipëri kjo taksë është thuajse në nivelet 0.

“Ne në Sarandë numërojmë rreth 5.000 shtretër në njësitë hoteliere dhe afro 5.000 apartamente që lëshohen me qira për qëllime turizmi, por ne shumë pak arrijmë të marrim një taksë fjetjeje. Kjo vlen vetëm për disa hotele”, - sqaron Aristotel Bita, i Bashkisë së Sarandës.

Më pak kalime

Ndryshe nga ç’pritej pas përmirësimit të infrastrukturës rrugore, të dhënat e hyrjes së vizitorëve në pikën kufitare të Morinës janë në rënie. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Policisë së Kufirit, nga fillimi i këtij viti deri më 24 gusht, numri i personave që kanë hyrë nga Morinës ishte 277,2 mijë ose rreth 2% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Në nivele më të ulëta se hyrjet paraqitet numri i personave që kanë dalë nga pika e Morinës. Gjatë këtij viti, sipas Drejtorisë së Kufirit, dolën rreth 234 mijë persona ose 16% më pak se numri i atyre që kanë hyrë nga kjo pikë. Krahasuar me një vit më parë, ka pasur një rënie të numrit të daljeve me rreth 6%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›