E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha paraqet kandidatët e 11 majit: Vlora e të pamundurave madhështore në historinë kombëtare

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha prezantoi sot kandidatët e “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” për qarkun e Vlorës.

Gjatë fjalës së tij, Berisha paraqiti programin e PD-së ndërsa premtoi se pas 11 majit shqiptarët nisin udhën për të dalë në krye të vendeve të rajonit për rrogat, pensionet dhe mbështetjen e tyre.

“Vij tek ju për të paraqitur para jush projektin e Shqipërisë Madhështore. Por theksoj këtu se në rast se ky projekt do kishte një djep, djepi i madhështisë së shqiptarëve është Vlora. Është Vlora e bukurive mahnitëse. E pasurive të jashtëzakonshme. Por është Vlora e të pamundurave madhështore në historinë tonë kombëtare. E flamurit të pavarësisë. E betejave të fituara me perandoritë”, tha Berisha.

Berisha shtoi se “kur ne paraqitëm apo vendosëm të paraqesim para jush projektin tonë për një Shqipëri Madhështore, pati jo pak nga ata që menduan se këtu ka një ekzagjerim, se këtu ka një mungesë realizmi. Në të vërtetë nuk ka asnjë mungesë realizmi, nuk ka asnjë ekzagjerim sepse ne jo vetëm kemi të tillë historinë, por PD ka të tillë trashëgiminë”.

Kryetari i PD-së shtoi se “Shqipërinë Madhështore, ndërtimin e saj, ne e nisim nga shpirti madhështor i shqiptarëve, i nënave, motrave, burrave dhe grave, të cilët në shekuj kanë ndarë kafshatën me njëri-tjetrin, nuk kanë pranuar kurrë të lënë në mjerim siç ndodh sot”.

Berisha tha se “nuk do ketë më asnjë shqiptar që do jetë në mjerim ekstrem sepse ne taksat tuaja, paratë tuaja, djersën tuaj, para së gjithash dhe mbi të gjitha, do ua kthejmë ju dhe vetëm ju”.

“U jap ju fjalën se 3 muajt e parë, kjo situatë përmbyset. Shqiptarët në mjerim nuk do ketë më. Çdo shqiptar do marrë 200 euro. Nuk do ketë rrogë minimale nën 500 euro. Nuk do ketë rrogë mesatare nën 1200 euro. Mësuesit e fëmijëve tanë do marrin 1500 euro”, u shpreh Berisha.

Berisha nënvizoi se “Shqipëria, shqiptarët nisin udhën për të dalë në krye të vendeve të rajonit për rrogat, pensionet dhe mbështetjen e tyre”. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›