Rama: Ndërtuam infrastrukturë të standardeve evropiane, trashëguam inaugurime dhe tendera të pafinancuar

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se, këto 12 vite është ndërtuar një infrastrukturë e standardeve evropiane që nuk ekzistonte.
Në aktivitetin “Infrastruktura, arritjet dhe Sfidat për Shqipërinë 2030”, Rama u shpreh se, “e gjithë kjo infrastrukturë që ne kemi projektuar dhe ndërtuar dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë është një infrastrukturë e standardeve evropiane që nuk ekzistonte”.
Rama theksoi se, “në pamje të parë 12 vjet duken shumë për gjërat që njerëzit presin dhe për gjërat që duhen bërë, por kini parasysh që norma mesatare, ose më saktë minimale e ndërtimit të infrastrukturës në Evropë dhe nuk flas për vende të vogla, flas për Gjermaninë, flas për Francën, flas për Britaninë e Madhe, flas për fuqitë e mëdha të Evropës në ndërtimin e infrastrukturës është 7-9 vjet. Ka projekte të cilat janë bërë të njohura për faktin se kanë marrë edhe 25 dhe 30 vjet”.
Por, shtoi Rama, “dihet botërisht që nga marrja e vendimit për të ndërtuar një copë infrastrukture tek përgatisja e të gjithë fazave për të angazhuar pastaj forcat tek një projekt, tek përfundimi i projektit, nëse gjithçka shkon më së miri dhe në ato vende gjithçka shkon më së miri se ato mos e harroni nuk kanë probleme buxheti është 4 vjet. Dhe pastaj realizimi konkret në praktikë nëse gjithçka shkon mirë në totalin e vet është 9 vjet”.
“Ne i kemi pasur rrugët, por asnjë rrugë dhe kur them asnjë rrugë them asnjë rrugë, as të projektuar me standardet e BE-së, dhe as të financuar, duket si absurde por të gjitha rrugët për të cilat është bërë një propagandë e madhe kanë qenë inaugurime dhe tenderë të pafinancuar”, tha Rama.
Kjo theksoi Rama, “ka qenë arsyeja që ne në mandatin e parë nuk kishim mundësi të bënim asnjë gjë tjetër përveç se të paguanim borxhe sepse kompanive iu tha: ecni se jua kemi. Kompanitë ecën, ecën dhe në një moment të caktuar ndaluan se s’kishin fuqi dhe praktikisht ishin të gjitha me motorët fikur dhe në prag të kolapsit se nuk paguanin dot më punëtorët”.
“Shifra totale e borxhit ku nuk janë vetëm rrugët, por totale e borxhit ndaj kompanive në mandatin e parë kur ne kemi marrë detyrën ka qenë 700 milionë. Pa llogaritur borxhin e kompanisë së shpërndarjes së energjisë që ishte histori më vete jashtë këtij 700 milionëshi, që ishte 1.5 miliardë”.
“Domethënë ka qenë një gropë ku populli dhe fati e ka shpëtuar këtë vend nga rënia përsëri në një humnerë njësoj si ajo e piramidave, por me një tjetër arsye”, tha Rama.
“Dhe përveç pagimit të borxheve, ne investuam sa mundëm dhe në projektime si fillim”, u shpreh Rama.
Rama solli shembullin e rrugës Tiranë –Elbasan, e cila u shpreh ai, “ka kushtuar 3-fshin e tenderit, sepse ishte një rrugë absurde, pa projekt, pa projekt gjeologjik fare, zero, filluan rrëshqitjet dhe filloi një histori e tmerrshme me kompaninë që e kishte marrë, kompaninë ndërkombëtare dhe në mënyrë të vazhdueshme u shtua, e u shtua kostoja e asaj maskarade atje”.
Rama foli edhe për rrugën e Arbrit për të cilën qeveria mori vendimin për partneritet publik-privat.
“Sikur ne rrugën e Arbrit ta kishim bërë me tender dhe me një fond të parashikuar x, ne sot nuk do të dilnim më nga rruga e Arbrit, për shkak të Tunelit të Murrizit, i cili shfaqi një paparashikueshmëri shumë të lartë, nxori nevojën e riprojektimit të gjithë armimit të tij të brendshëm me një buxhet të jashtëzakonshëm krahasuar me variantin e parë dhe në bazë të kontratës së bërë me kompaninë që ky është një partneritet publik-privat. Ti do investosh, do ma mbarosh rrugën deri në këtë datë dhe pastaj përgjatë 13 viteve do ta mirëmbash dhe ndërkohë unë do ta shlyej hap pas hapi. Ama nëse të del diçka e paparashikuar e ke ti, të gjitha ato rrëshqitje, ato histori. I pagoi kompania dhe qeveria, taksapaguesit nuk kanë asgjë fare për të paguar, përveç asaj që ishte parashikuar që në fillim”.
Rama tha gjithashtu se, “janë hapur tenderë gjatë gjithë aksit nga Shkodra deri poshtë, por jo vetëm nuk është bërë kurrë një rrugë me standarde që të ketë lidhje me një korridor evropian, por ndërkohë që janë ndërtuar arna, pas arnash, pas arnash, është lejuar pushtimi i rrugës nga të dyja anët. Është stimuluar”.
Dhe i njëjti fenomen, shtoi Rama, “është po kështu edhe poshtë, në rrugën që shkon poshtë drejt Fierit, të renë, ne do të duhet t’i shmangemi disa herë dhe në mënyrë të konsiderueshme aksit ekzistues, i cili u pretendua se po ndërtohej për të qenë autostradë”.
“Ajo s’është autostradë, ajo është një rrugë rreziqesh. Kështu është katandisur, për shkak se është projektuar keq dhe vendosur dhe lënë që të popullohet me lloj-lloj godinash”, u shpreh Rama. /j.p/
1 nga 11