E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, pasardhësi komunist

Kreu i demokristianëve thotë se PDK-ja do të dalë e vetme në zgjedhje me 140 kandidatët e saj, ndërsa programit të tij politik i shtohen edhe çështjet e ish-pronarëve dhe të ish-të persekutuarve

  Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, thotë se afrimi në Partinë Demokratike i disa partive që kanë qenë në koalicion me të majtën, tregon dukshëm që PD-ja është një parti e majtë. Sipas tij, kjo vërtetohet edhe nga realizimet e programit qeveritar. Ndërkohë, duke folur për mundësinë e një bashkëpunimi me Partinë Demokratike, Ndoka thotë se forca e tij politike nuk do të jetë më një aleat numerik. Ai thotë se PDK-ja i qëndron idesë për të dalë e vetme në zgjedhje, duke nxjerrë 140 kandidatë në listat e saj. Ndërkaq, duket se Ndoka e ka gati edhe programin e tij politik për zgjedhjet e ardhshme. Përveç pikës kryesore që është familja, programi i ri politik i PDK-së do të përmbajë edhe dy pika të tjera të rëndësishme: kompensimin e ish-të përndjekurve politikë dhe zgjidhjen e çështjes së ish-pronarëve. Kreu i Partisë Demokristiane thotë edhe rezultatin që parashikon nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare: nga një deputet për secilin rajon, madje edhe dy deputetë nga rajone të veçanta që janë bastionet e PDK-së  -Tashmë në kodin zgjedhor janë përcaktuar koalicionet e përbërë. Cili është qëndrimi i Partisë Demokristiane dhe a vijoni t’i mbeteni idesë për daljen vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare? “Partia Demokristiane do të dalë e vetme në zgjedhje, ashtu sikurse e kemi deklaruar. Është në interesin e saj që të dalë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009 me listat e saj për secilin rajon”.-A keni bërë ndonjë negociatë me Partinë Demokratike, apo nuk do të bëheni pjesë e negociatave të saj? “Problemet që ka Partia Demokratike dhe lidershipi i saj nuk mendoj se do të ndryshojë ndonjë gjë. Ata po bëjnë çmos që të mos ketë shumë hapësira për koalicionin, edhe për vetë faktin se Partia Demokratike mendon që t’i shkrijë disa parti, kurse pjesën tjetër vetëm t’i grumbullojë si numër aritmetik”. -Ndërkohë, në Partinë Demokratike po afrohen edhe disa forca që kanë qenë në koalicion me të majtën. Duke e nisur që nga Partia Agraro-Ambientaliste e Lufter Xhuvelit dhe duke përfunduar tek Aleanca Demokratike e Neritan Cekës. Çfarë tregojnë këto afrime?“Partia Demokratike është kritikuar si një parti e majtë dhe kjo lëvizje i jep tamam ngjyrimet e së majtës, në aspektin e dukshëm. Dhe, kur flas për këtë çështje, nuk e kam fjalën vetëm tek ato që ka realizuar nga programi i saj gjatë këtyre viteve. Ka shumë rëndësi që e djathta të ketë alternativa të tjera, përveç Partisë Demokratike, sepse nuk ka arritur asnjëherë që të jetë një e djathtë e besueshme dhe reale për përfaqësimin e ish-të përndjekurve dhe të ish-pronarëve. Pra, këto dy kategori, që janë bërthama e Partisë Demokratike, kjo e fundit nuk arriti asnjëherë t’i realizojë aspiratat e tyre. Pra, Partia Demokratike gjatë këtyre viteve nuk ka kompensuar as të persekutuarit dhe as nuk ka zgjidhur çështjen e ish-pronarëve, për të cilat kishte premtuar”. -A mund të jetë Partia Demokristiane një parti “lider” e ndonjë grupimi forcash të vogla politike, apo do të jetë një subjekt i vetëm?“Ne nuk jemi një parti politike minore, që të shohim vetëm për aleanca. Ne do të garojmë si parti e vetme në të gjithë qarqet, duke respektuar atë që është përcaktuar në kodin zgjedhor. Ne kemi mbështetje në të gjithë qarqet, por pa diskutim aty ku kemi mbështetjen më të madhe, mund të marrin edhe nga dy deputetë. Kjo është e mundur, duke pasur parasysh se sistemi është proporcional dhe duke e krahasuar edhe me zgjedhjet lokale të kaluara, mund të përfaqësohemi me nga një deputet në çdo qark të Shqipërisë”. -Sa kandidatë do të nxirrni në zgjedhjet e ardhshme?“Në zgjedhjet e ardhshme Partia Demokristiane do të ketë 140 kandidatët e saj, pa diskutim”.-Ka disa parti të djathta që nuk janë në koalicion me Partinë Demokratike. A mund të ketë një bashkëpunim tuajin me to?“Ne jemi e vetmja forcë politike që kemi një rritje. Kemi një alternativë të besueshme, që është e vetmja alternativë evropiane, kështu që nuk besoj se është i nevojshëm koalicioni me parti të tjera të djathta. Gjithsesi, ky është një proces i hapur, që ne do ta shohim në të ardhmen. Asgjë nuk përjashtohet”.-Kohët e fundit keni dalë në mbrojtje të interesave të ish-të përndjekurve dhe të ish-pronarëve. Ndërkohë, në kampin e djathtë ka disa forca të tjera që i kanë këto dy çështje si bosht të programit të tyre. Partia Demokristiane do i mbajë e vetme këto pesha, apo mund të ketë ndonjë bashkëpunim me ndonjërën nga këto forca?“Partia Demokristiane sot është një parti parlamentare, ka një grup parlamentar të sajin, ka këshilltarë në të gjithë vendin dhe ka të gjithë mekanizmat për t’i mbajtur dhe për t’u bërë zëdhënës i këtyre problemeve. Në këtë aspekt, nuk besoj se kemi nevojë për koalicione të tilla për mbrojtjen e këtyre interesave. Këto interesa do të mbrohen në mënyrë programore edhe për faktin se vetë Partia Demokristiane drejtohet nga një kryetar që vjen nga shtresa e të përndjekurve politikë, të gjithë të tjerët vijnë nga pjesa e komunizmit, duke përfshirë edhe liderin e Partisë Demokratike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›