As pro, as kundër

Fratini: Bashkimi Evropian të abstenojë ndaj iniciativës serbe
Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë shumë gjasa që të abstenojnë në votimin ndaj iniciativës së Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ishte kjo deklarata që bëri dje shefi i diplomacisë italiane lidhur me kërkesën e Serbisë për t’i kërkuar opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Serbia do të hedhë kërkesën e saj në votim në 8 tetor, ku pret të marrë sa më shumë mbështetje nga vendet anëtare të OKB-së. “Mendoj se abstenimi është një zgjidhje e mirë”, - tha Fratini pas takimit me ministrin e Jashtëm serb, Vuk Jeremiç. Shefi i diplomacisë italiane theksoi faktin se pjesa më e madhe e vendeve anëtare të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe natyrisht i kundërvihen kësaj iniciative. Ministri i Jashtëm italian tha se shpreson që të gjendet një zgjidhje për të lejuar zbarkimin e misionit evropian EULEX, pasi BE po përpiqet të ndihmojë qoftë Kosovën, qoftë Serbinë. Homologu i tij serb, Jeremiç, tha se Fratini tregoi mirëkuptim ndaj iniciativës së Serbisë. Ai tha se “është e drejtë themelore e çdo vendi” që të kërkojë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe se Beogradi po e shfrytëzon këtë të drejtë. Por sipas Fratinit, ka shumë pak gjasa që vendet e BE-së të mbështesin këtë kërkesë të Serbisë, pasi në këtë mënyrë ato do të vinin në dyshim vendimin me të cilin e kanë njohur shtetin e Kosovës. Gjithsesi ka burime që thonë se iniciativa serbe ka gjetur mjaft mbështetje. E përditshmja gjermane “Handelsblatt” raportoi dje, se nismën e Serbisë për të dërguar pavarësinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë e mbështesin 120 vende, nga 192 shtete që janë gjithsej anëtare të OKB-së. Sipas gazetës, për kalimin e projektrezolutës serbe mjafton një shumicë e thjeshtë votash. Projektrezoluta në fjalë do të votohet me datë 8 tetor, në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Liderët perëndimore, vendet e të cilëve kanë njohur Kosovën e pavarur, janë të mendimit se nisma në fjalë nuk mund ta zbehë pavarësinë, por mund të pengojë njohjen e Kosovës nga shtete të tjera dhe investimet e huaja në këtë vend.