Kur ligji shkelet nga ligjbërësit

Në top-listën e institucioneve shtetërore që kanë shkelur afatin ligjor për depozitimin e pasqyrave financiare qëndrojnë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave
Në rastet kur bizneset e mëdhenj apo edhe ata “VIP” që operojnë në tregun tonë nuk respektojnë afatet e dorëzimit të bilanceve kontabël apo i dorëzojnë këto bilance me parregullsi, atëherë sanksionet janë drastike. E kundërta ndodh në rastet kur shkelësit janë vetë institucionet shtetërore të cilët kanë edhe të drejtën e gjobës, pasi asnjë nuk mban përgjegjësi, duke u gjobitur apo pushuar nga vendi i punës për të cilin është përgjegjës. Janë plot 13 institucione shtetërore që kanë shkelur afatin, duke depozituar me vonesë pranë Drejtorisë së Kontabilitetit pasqyrat financiare për vitin 2007. Ajo çka bie më shumë në sy në listën e gjatë të “shkelësve”, është renditja në vendin e parë e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, pasi kjo e fundit nuk e ka dorëzuar bilancin kontabël deri në kohën e mbylljes së kontrollit nga KLSH-ja. Sipas burimeve në Kontrollin e Lartë të Shtetit, deri tani nga Drejtoria e Kontabilitetit për shkeljet e këtyre afateve nuk janë aplikuar sanksione për personat përgjegjës sipas pikës 10, “Për mosdepozitim në afat”. Po kështu, për personat përgjegjës nuk janë respektuar sanksionet e parashikuara në ligjin për kontabilitetin, për buxhetin, në kodin e punës dhe ligjin për statusin e nëpunësit civil. Informacion kontabël i pasaktëNë vlerësimin e cilësisë së informacionit kontabël të depozituar në Ministrinë e Financave nga ministritë dhe institucionet qendrore, rezulton se mjaft institucione të kategorisë së sipërpërmendur kanë mjaft mangësi në mbajtjen e llogarive, kryesisht mosakordime të llogarive të ndryshme, llogari të pambyllura etj. Madje, në pasqyrat financiare të këtyre institucioneve ekzistojnë llogari ku nuk tregohet se çfarë përfaqësojnë.Miliona lekë të çuar dëmPor vonesat në mosrespektimin e afatit për dorëzimin e pasqyrave financiare janë të papërfillshme krahasuar me skandalet e gjetura gjatë kontrollit të këtyre pasqyrave në disa ministri apo drejtori vartëse, ku ka munguar destinacioni i fondeve të projekteve, si dhe nxjerrja e shumave të konsiderueshme nga dikasteret shtetërore pa përcaktuar marrësin. Të tillë raste rezultojnë ekzistentë në pasqyrat financiare të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Punëve Publike, si dhe në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Mashtrimet financiare me “bekimin” e ministritSipas raportit të detajuar të Kontrollit të Lartë të Shtetit që zotërohet nga redaksia e gazetës, me urdhër të ministrit të Financave është bërë ndërprerja e fazës së përpunimit të pasqyrave financiare të institucioneve deri në një urdhër të dytë për fillimin e punës, për përfundimin e tyre. Si rezultat i moskontrollit dhe i mospërpunimit të informacionit të pasqyrave financiare të depozituara nga ministritë, institucionet qendrore, njësitë e menaxhim-zbatimit të projekteve me financim të huaj në Drejtorinë e Borxhit dhe moshartimin e përmbledhësve nga Degët e Thesarit në rrethe, Drejtoria e Kontabilitetit nuk ka hartuar raportin përmbledhës të konsoliduar në vitin 2007.Nga Drejtoria e Kontabilitetit në Ministrinë e Financave nuk është ndëshkuar asnjë person përgjegjës për shkeljet e afateve financiare të vendosura me ligj. Dikasteret që kanë shkelur afatin e dorëzimit të bilanceve kontabël: 1- Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve2- Drejtoria e Përgjithshme e Doganave3- Ministria e Shëndetësisë4- Ministria e Brendshme5- Shërbimi Informativ Shtetëror6- Drejtoria e Rezervave të Shtetit7- Akademia e Shkencave8- Ministria e Punës9- Ministria e Mjedisit10- Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe e Telekomunikacionit11- Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë12- Avokati i Prokurimeve dhe Avokati i Shtetit13- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Institucionet që paraqitën cilësi të ulët të informacionit kontabël: 1- Ministria e Punëve të Jashtme2- Ministria e Mbrojtjes3- Ministria e Drejtësisë4- Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës5- Drejtoria e Metrologji-Kalibrimit6- Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit7- Agjencia Telegrafike Shqiptare8- Instituti i të Përndjekurve Politikë9- Avokatura e Shtetit Shkeljet në Ministrinë e Brendshme1- Në numrin e llogarisë bankare 4342, “Të tjera operacione me shtetin debitor”, të Ministrisë së Brendshme, paraqitet shuma prej afro 576 milionë lekësh pa shpjeguar natyrën e krijimit të këtyre detyrimeve. 2- Në llogarinë 4341 paraqitet në bilanc shuma e afro 523 milionë lekëve, si detyrim ndaj buxhetit të shtetit dhe nuk komentohet çfarë pasqyron konkretisht kjo e dhënë. Shkeljet në Ministrinë e Punëve Publike1-Nuk dihet sa reale janë shifrat e përllogaritura në llogaritë bankare, pasi gjendjet nëpër poste janë përmbledhëse dhe nuk japin pasqyrë analitike të investimeve dhe se cilat vepra veç e veç janë kryer në këto fonde.2-Gjithashtu, llogaritë nuk janë të shoqëruara me ekstrakte bankare fillestare dhe përfundimtare apo një ditar lëvizjesh nga banka për të verifikuar vërtetësinë e gjendjes së llogarisë 512, “Llogari në bankë”, pasi këto projekte trashëgojnë nga viti në vit gjendje në llogaritë e tyre bankare.