Berisha, peng i mekanizmit që e mban në pushtet Nga Mero Baze, "Faktori Plus"Ajo çfarë është e përbashkët në të gjithë raportet serioze ndërkombëtare që analizojnë situatën në Shqipëri, përfshi dhe raportin e organizatës prestigjioze FRIDE, i cili ës
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Berisha, peng i mekanizmit që e mban në pushtet Nga Mero Baze, "Faktori Plus"Ajo çfarë është e përbashkët në të gjithë raportet serioze ndërkombëtare që analizojnë situatën në Shqipëri, përfshi dhe raportin e organizatës prestigjioze FRIDE, i cili është bërë sot publik, ka të bëjë me faktin se liritë njerëzore, politike dhe ekonomike në Shqipëri janë përkeqësuar më së shumti pas procesit të deformuar zgjedhor të 28 Qershorit të vitit të kaluar. Ky dimension që shoqëron gjithë vlerësimet serioze për situatën politike në Shqipëri, tregon qartë se njeriu që ka humbur më shumë lirinë për t’iu përmbajtur detyrimeve si kryetar i qeverisë së Shqipërisë është Sali Berisha. Nëse kryeministri i vendit, nuk do të ishte i përfshirë në deformimin e procesit elektoral të qershorit të vitit të kaluar, atëherë ai do të ishte një kryeministër i lirë për të vepruar dhe për ta tejkaluar krizën që prodhoi ky deformim. Por sic vëren dhe ky raport, qeveria shqiptare ka hyrë në spiralen e betejës me çdo faktor politik, mediatik apo juridik në vend, që tenton të jetë i lirë, jashtë kontrollit qeveritar. Kështu, të gjitha liritë e tjera në vend, kanë mbetur peng te mungesa e lirisë së kryeministrit për të mbajtur distancën e duhur ndaj njerëzve dhe fenomeneve që prodhuan pushtetin e deformuar të tij. Kështu kryeministri e ka të vështirë të lërë në baltë zyrtarë të tillë problematikë si Fatmir Mediu apo Lulëzim Basha, pasi kjo liri do të inkurajonte drejtësinë të vazhdonte më tej hetimet që mund të shkatërronin pushtetin e tij. Duke dhënë shembullin e mbrojtjes së tyre nga drejtësia, Sali Berisha ka garantuar çdo hajdut në krye të qeverisë për paprekshmërinë që ka, në rast se ai i shërben pushtetit të tij personal. Rasti i të pandehurve Basha dhe Mediu, që tashmë janë ende pjesë e qeverisë dhe jo e kontingjentit të burgjeve shqiptare, është një inkurajim për çdo kënd që vjedh dhe vret në këtë vend dhe një shuplakë e fortë për këdo që do të zbardhë krimin dhe korrupsionin në emër të ligjit. Arroganca, me të cilin Berisha e ka bërë këtë gjest për zyrtarët e tij në raport me drejtësinë, do të jetë një shembull jetëgjatë ilustrues për kapjen e shtetit dhe pushtetit gjyqësor në një vend pjesërisht të lirë. Berisha po ashtu ka forcuar kontrollin mbi medien kritike pas 28 Qershorit. Raporti në fjalë citon rastet e gazetës “TemA” dhe TV “Top Channel”, ndërkohë që Berisha po udhëheq personalisht një fushatë edhe më radikale deri te segmentet e fundit të shtypit të lirë që kanë mbetur në këtë vend, duke përdorur kulaçin dhe kërbaçin ndaj pronarëve të saj, në shkëmbim të mbylljes së emisioneve televizive kritike apo ndryshimit të politikës editoriale të redaksive. Kontrollet tendencioze joprofesionale dhe gjobat e papërgjegjshme që po shqiptohen në adresë të pronarëve të këtyre medieve, po shënojnë një fazë të re vdekjeprurëse për lirinë e medies në Shqipëri. Edhe sikur sot të mos kishim para sysh kutitë e Ruzhdies, edhe sikur të mos kishim asnjë raport kritik për zgjedhjet e 28 Qershorit, mënyra se si Sali Berisha po investohet personalisht kundër lirive politike, ekonomike dhe lirisë së fjalëve ndaj kujtdo që nuk e ka nën kontroll, do të na mjaftonte të dyshonim se ai është i frikësuar nga liria jonë, pasi ai fsheh një krim të rëndë ndaj saj. Ky raport që hedh dritë mbi humbjen e lirive tona nën këtë qeveri, është një dëshmi se njeriu që ka humbur më shumë se kushdo tjetër lirinë për të qenë kryeministri i një vendi që është anëtar i NATO-s dhe që tenton të jetë kandidat për anëtar të BE-së, është kryeministri i këtij vendi. Ai tanimë është peng i mekanizmit që përdori për të mbajtur pushtetin dhe do të vazhdojë ta thellojë spiralen e tij antidemokratike në ditët që vijnë.