Rimbursimi i TVSH, biznesi nuk do paguajë më doganë
nertila maho
Bizneseve që nuk iu është rimbursuar TVSH-ja nga tatimet dhe që rezultojnë debitore për të njëjtin tatim pranë doganave, mund të bëjnë likuidimin e detyrimit përmes rakordimit të llogarive të hapura që kanë me institucionet. Një udhëzim i Ministrisë së Financave shpjegon edhe procesin se si do të veprohet. “Në rast se tatimpaguesi në administratën tatimore rezulton me situatë kreditore të TVSH-së, e cila ka plotësuar kushtet ligjore për t’u rimbursuar, ndërsa në administratën doganore me situatë debitore për TVSH-në e shtyrë në import, ai ka të drejtë të paraqesë kërkesën pranë ministrit të Financave, në të cilën të kërkojë destinimin e shumës së kërkuar për rimbursimin e TVSH-së për t’u kaluar nga organi doganor, për likuidimin e shumës së TVSH-së debitore që ka në administratën doganore” thuhet në udhëzim. Pas kësaj, nga ana e Ministrisë së Financave mblidhet informacion. Fillimisht bëhet një verifikim mbi situatën e tatimpaguesit, duke lëshuar një vërtetim ku është përcaktuar shuma e TVSH-së kreditore, shuma e likuidimeve të detyrimeve të tjera tatimore. Paralelisht me të kërkohet edhe një vërtetim nga doganat. “Vërtetimi bashkohet me situatën e TVSH-së, që provon ekzistencën e tepricës kreditore të TVSH-së. Lëshohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, duke përcaktuar shumën e TVSH-së debitore si dhe duke përcaktuar se ky vërtetim është lëshuar me kërkesë të Ministrisë së Financave për kompensimin e detyrimeve të TVSH-së si rezultat i zbatimit të skemës së shtyrjes së saj. Vërtetimit i bashkëlidhet situata e TVSH-së si dhe dokumentacioni që provon ekzistencën e detyrimit nga skema e shtyrjes së saj”, vazhdon udhëzimi. Afati që i lihet Drejtorisë së Përgjithshme e Tatimeve dhe asaj të Doganave për kthimin e një përgjigjeje është plot dy javë nga data e protokollimit të kërkesës nga Ministria e Financave. Procesi ka në bazë një aktmarrëveshje, e cila pasi është nënshkruar nga doganat, tatimet dhe tatimpaguesi, duhet të miratohet nga Ministri i Financave. “Administratat përkatëse kryejnë procedurat tekniko-administrative të parashikuara në këtë udhëzim, me qëllim realizimin e kompensimit të detyrimeve tatimore dhe doganore për TVSH-në, me tepricën kreditore të saj. Përdorimi i shumës së TVSH-së kreditore në organet tatimore likuidon vetëm shumën e TVSH-së së shtyrë në import. Kompensimi realizohet pasi administratave përkatëse u ka mbërritur aktmarrëveshja e nënshkruar nga titullarët e administratave tatimore dhe doganore, subjekti tatimpagues dhe i miratuar nga ministri i Financave”, thuhet në udhëzim. Pas kësaj, në bazë të aktmarrëveshjes teprica e shumës së rimbursimit pakësohet tek organet tatimore dhe merr vlefshmërinë e pagesës për të proceduar më tej për mbylljen e detyrimit së TVSH-së në organet doganore. “Pas miratimit nga ministri i Financave, situata debitore e tatimpaguesit konsiderohet automatikisht e çliruar dhe dy administratat vijojnë procedurat e mëtejshme për sistemimin dhe kontabilizimin e pozicioneve debitore dhe kreditore të TVSH-së, si dhe njoftojmë me shkrim tatimpaguesin për situatën e tij debitore dhe kreditore, pas sistemimit në të dy administratat tatimore dhe doganore”, përfundon udhëzimi.