Topi: Gjyqtarët e rinj,sipas procesit kushtetues
Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka reaguar sot ndaj deklaratës së PS rreth kandidaturave për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë duke theksuar rëndësinë e këtij procesi kushtetues. Sipas zyrës së shtypit pranë presidencës, Kreu i Shtetit priti dje në një takim Kryetarin e Gjykatës së Lartë të Kroacisë, Branko Hrvatin, ku gjatë bisedës u ndal te procesi i reformimit të sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Presidenti Topi vuri në dukje sfidat me të cilat ky sistem përballet me qëllim konsolidimin e pavarësisë së tij dhe rritjes së profesionalizmit. Në këtë drejtim, Kreu i shtetit nënvizoi “rëndësinë e jashtëzakonshme të procesit kushtetues të zëvendësimit të katër anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjashtë anëtarëve të asaj Kushtetuese”. Në bisedën me Hrvatin, Presidenti Topi kërkoi që institucionet e drejtësisë të sigurojnë integritet dhe profesionalizëm në dhënien e drejtësisë, në mënyrë që pushteti gjyqësor të jetë i paanshëm duke iu larguar përfundimisht ndikimeve të çfarëdolloj natyre. Ai kërkoi që institucionet e drejtësisë dhe i gjithë sistemi gjyqësor të zbatojnë parimet e shtetit të së drejtës sipas standardeve më të larta evropiane. Përsa i përket marrëdhënieve mes dy vendeve, Presidenti Topi vlerësoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave të vyera mes institucioneve të ndryshme të drejtësisë. Nga ana e tij Kryetari i Gjykatës së Lartë të Kroacisë nënvizoi rolin dhe angazhimin e Presidentit Topi e njëkohësisht dhe Kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në mbrojtje dhe konsolidimin të pushtetit gjyqësor.