Berisha: Gjyqtarët, jo vesh më vesh apo prapa kuintave
Kryeministri Sali Berisha vlerëson procesin me të cilin po shqyrtohet procedura për emërimin e 10 gjyqtarëve të rinj, 6 në Gjykatën Kushtetuese dhe 4 në Gjykatën e Lartë. Duke folur për mediat në lidhje me emërimin e gjykatësve të rinj, Berisha tha se procesi është transparent. “Në qoftë se Presidenti ka të drejtën e përzgjedhjes, këtë ia ka dhënë Kushtetuta dhe ka bërë shumë mirë që ia ka dhënë, sepse përndryshe do të ishte më e vështirë pavarësia, Parlamenti ka të drejtën e pëlqimit, por të gjitha këto janë shumë herë më të mira sesa procedurat vesh më vesh apo prapa kuintave”, tha Berisha. Ai shtoi se “jashtë kurioziteteve të tepruara, jashtë paragjykimeve, në Shqipëri është në konsolidim e sipër tradita më e mirë e emërimit të gjykatësve në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Presidenti ka hapur një procedurë, ka thirrur një komision, ka marrë një numër kandidaturash dhe kjo është gjëja më normale. Parlamenti ka përshtatur ligjin me një hearing. Unë mendoj se këto janë procedurat më moderne”. Kreu i maxhorancës tha se Presidenti ka të drejtën e përzgjedhjes së kandidaturave ndërsa Kuvendi më pas të shqyrtimit të tyre. “Parlamenti, në përputhje me përcaktimin e Kushtetutës, ka tagrin e shqyrtimit të tyre. Ka vendosur procedurën e hearing dhe ka një disponibilitet për një procedurë sa më transparente”, tha Kryeministri.