Montobio: Kriza të zgjidhet brenda 10 majit,Kushtetuesja i kthen përgjigje PS për kutitë
Erald Kapri
Bashkimi Evropian humbet qetësinë me politikanët shqiptarë. Prej mëse 10 muaj nga nisja e konfliktit mes opozitës dhe maxhorancës, Bashkimi Evropian vendos për herë të parë afat për zgjidhjen e situatës politike, ndryshe pasojat do të jetë të drejtpërdrejta për integrimin e vendit. Ambasadori i Spanjës në Shqipëri Manuel Montobio, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së BE-së, deklaroi se brenda datës 10 maj opozita dhe maxhoranca duhet të zgjidhin ngërçin politik. Në këtë datë, sipas ambasadorit, do të zhvillohet takimi i Këshillit të Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së, ç’ka kërkohet direkt që Qeveria dhe opozita të jenë bashkë. “Ne presim që kjo situatë të kapërcehet dhe kujtojmë që afati për të realizuar këtë është 10 maji, ditë në të cilën zhvillohet takimi i Këshillit të Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së, dhe më herët në 4 maj kur është dhe takimi ndërparlamentar mes Shqipërisë dhe BE. Ne duam fakte dhe jo fjalë që të na lejojë neve të fokusohemi në agjendën konkrete të integrimit”, deklaroi Montobio. Ai tha më tej se duhet të shmangen menjëherë përplasjet politike dhe duhet të arrihet një marrëveshje në përputhje me Kushtetutën por edhe në nevojë të transparencës. “Në situatën aktuale politike është e nevojshme që të shmangen përplasje të tjera pasi kjo mund ta rëndojë më tej situatën. Sa i përket zgjidhjes ne përsërisim se ajo duhet të vijë nëpërmjet dy parimeve, respektimi i kushtetutës dhe transparencë. Ne presim fakte dhe jo fjalë”, tha ambasadori. Duke folur për rëndësinë e funksionit normal të Kuvendit, Montobio tha se kjo ka rëndësinë për integrimin e vendit. Ai theksoi se pas 28 qershorit “Parlamenti ka qenë jo plotësisht funksional për shkak të mospjesëmarrjes së të gjithë anëtarëve të Parlamentit. Kjo ka shkaktuar keqfunksionimin e Parlamentit, nga ana tjetër dhe në adoptimin e ligjeve të nevojshme nga një shumicë e kualifikuar. Roli i Parlamentit është jo vetëm për të miratuar ligje, por të bëjë qeverinë t’i shërbejë popullit, dhe kjo është një përgjegjësi”. Sipas ambasadorit të Spanjës, “Demokraci nuk do të thotë zgjedhje një herë në katër vjet, por demokraci do të thotë që çdo javë përfaqësues të popullit i kërkojnë llogari Qeverisë në Parlament se si po i mbron ajo interesat e njerëzve”. Në deklaratën e tij, ambasadori foli edhe për pasojat që mund të sjellë nëse situata nuk zgjidhet në këtë afat. “Nëse kjo nuk është realizuar, opozita ka përgjegjësi dhe po ashtu, edhe Qeveria duhet të jetë e hapur për t’i dhënë shpjegime, dhe ky është një kriter thelbësor i BE që mungon. Rëndësia e Parlamentit nuk është vetëm tek ligjet, por edhe tek kërkesa e llogarisë”, tha ambasadori. Ai garantoi se BE nxit bashkëpunimin e të gjitha palëve për një jetë të vazhdueshme parlamentare. Në këtë deklaratë, që u mbajt në zyrën e informimit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ambasadori i Spanjës shtoi se BE i kërkon drejtuesve politike shqiptarë që të vlerësojnë rezultatet e dialogut në shërbim të integrimit të vendit. “Funksionimi i Parlamentit është i rëndësishëm për të treguar maturinë e klasës politike dhe për ndërmarrjen e reformave të rëndësishme. Ne kërkojmë që aktorët kryesor politikë të zhvillojnë një dialog politik konstruktiv, pasi kjo i shërben funksionimit normal të institucioneve demokratike”, deklaroi më tej Ambasadori i Spanjës në vendin tonë Manuel Montobio.
Kutitë, Kushtetuesja i përgjigjet PS
Aristir Lumezi
Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i drejtohet vetvetes për çështje që janë atribut i partive. Drejtoresha e Marrëdhënieve me Publikun në Gjykatën Kushtetuese, Edlira Abazi tha dje për “Panorama” se ky institucion e ka të përcaktuar qartë në Kushtetutë nisjen e procedurave të saj. “Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje vetëm nga subjektet e përcaktuara në nenin 134 të Kushtetutës”, u shpreh Abazi. Në interpretim të këtij neni kushtetues, përcaktohen qartë subjektet që kanë të drejtë t’i drejtohen kësaj gjykate. Neni 134 i Kushtetutës përcakton se “1. Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje vetëm me kërkesë të: a)Presidentit të Republikës; b) Kryeministrit; c)jo më pak se një së pestës së deputetëve; ç) Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit; d) çdo gjykate sipas rastit të nenit 145 pika 2 të kësaj Kushtetute; dh) Avokatit të Popullit; e) organeve të qeverisjes vendore; ë) organeve të bashkësive fetare; f) partive politike dhe organizatave të tjera; g) individëve. 2. Subjektet e parashikuara nga nënparagrafët dh, e, ë, f dhe g të paragrafit 1 të këtij neni mund të bëjnë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre”. Sipas Abazit, Gjykata nuk mund të ndërmarrë e vetme asnjë nismë për të interpretuar kërkesën e Partisë Socialiste për hapjen e kutive, pasi për këtë duhet që vetë subjektet e interesuara të paraqesin pretendimet e tyre për të vënë gjykatën në lëvizje. “Gjykata Kushtetuese e ka të pamundur të vihet në lëvizje me iniciativën e saj ose siç themi juridikisht të vihet kryesisht në lëvizje që do të thotë: në qoftë se për një çështje të tillë ashtu sikundër dhe për gjithë të tjerat, Gjykata Kushtetuese duhet të vihet në lëvizje, pra ta marrë në shqyrtim, duhet të jetë patjetër një nga subjektet e përcaktuara në Kushtetutë që duhet vënë në lëvizje. Kjo do të thotë që PS në subjektin e deputetit të Parlamentit mund ta vërë në lëvizje, por ndërkohë PS mund të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, gjithmonë i drejtohem PS për rastin konkret, dhe si subjekt, i cili na vë në lëvizje me kushtin që të argumentojë në Gjykatën Kushtetuese se norma që kundërshton prek drejtpërsëdrejti interesat e saj”, tha Abazi.
Venecia
E pyetur rreth mundësisë juridike që Gjykata Kushtetuese ka për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias lidhur me hapjen e kutive të votimit përmes një komisioni hetimor parlamentar, drejtoresha për Marrëdhëniet me Publikun tha se kjo gjykatë i drejtohet Venecias vetëm me opinione dhe jo si urdhërim. “Marrëdhënia e Gjykatës Kushtetuese me Komisionin e Venecias është tashmë e konsoliduar dhe kjo gjykatë ka disa praktika që për çështje të rëndësishme ka kërkuar opinionin e Komisionit të Venecias. Një nga rastet e fundit është opinioni për ligjin e dosjeve. Por ndonëse Gjykata Kushtetuese ka këtë lloj praktike, kjo nuk është e detyrueshme ligjërisht. Pasi ky mbetet një opinion dhe jo urdhërim”, u shpreh Abazi. Sqarimi i pozicionit të gjykatës Kushtetuese erdhi pasi dy ditë më parë, deputeti socialist Arben Ahmetaj deklaroi se pas deklaratës së Byrosë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Gjykata Kushtetuese i ka mekanizmat për të filluar vetë shqyrtimin e kërkesës së selisë rozë për hapjen e kutive, pasi kjo forcë politike është e bindur në ligjshmërinë e aksionit të saj. Byroja Parlamentare e Këshillit të Evropës sugjeronte më tej që për çështjen e hapjes së kutive të merrej edhe mendimi i komisionit të Venecias për të cilin, Abazi thotë se kjo është një procedurë normale e marrjes së opinionit që Gjykata Kushtetuese e respekton në shqyrtimin e çdo rasti.
Dade: Berisha të dëgjojë SHBA për kutitë
Partia Socialiste vlerëson letrën e kongresmenit amerikan Delahunt dhe kërkon nga kryeministri Sali Berisha që të dëgjojë partnerët ndërkombëtarë dhe të bëjë transparencën e zgjedhjeve.
Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Socialiste Arta Dade, me anë të një deklarate për shtyp u shpreh dje se bindja e Delahunt që kriza do të zgjidhet duke bërë transparencën e plotë të procesit elektoral përfshirë hapjen e kutive nga komisioni hetimor parlamentar, është në përputhje me atë që opozita e ka kthyer në kauzën e saj dhe që është mbështetur nga faktorë të rëndësishëm të institucioneve euro-atlantike ku Shqipëria është anëtare apo aspiron për t’u anëtarësuar. “Transparenca zgjedhore është e domosdoshme edhe për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit zgjedhor, i cili nuk mund të bëhet pa bërë vlerësimin e saktë të asaj që ka ndodhur në zgjedhjet e fundit parlamentare”, u shpreh Dade.
Topalli: Venecia, mundësi tjetër e Ramës
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në një prononcim për median vlerësoi pozitivisht deklaratën e Byrosë së Asamblesë së KIE për situatën politike në Shqipëri. “është një deklaratë që është në të mirën e Shqipërisë, që kërkon që opozita të jetë pjesë e punimeve parlamentare, në komisionet parlamentare, në seancat parlamentare, në punën e ligjvënës, e ligjbërësit, në funksionin e tyre të kontrollit parlamentar dhe në të gjitha detyrimet që jep mandati i tyre në shërbim të popullit”, tha Topalli. Ajo theksoi se “në lidhje me pyetjen tuaj, ka një qëndrim koherent konsistent të Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të gjithë kryetarëve të grupeve, të cilët i dhanë një mundësi tjetër, zotit Edi Rama duke i thënë se nëse ke kontestime në interpretimin e ligjit, rruga shkon përmes Gjykatës Kushtetuese dhe nga Gjykata Kushtetuese i kërkohet mendim Komisionit të Venecias”.