E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punimet në shesh, bashkia devijon trafikun



Ka filluar dje zbatimi i pjesës tjetër të planit për devijimin e trafikut si efekt i punimeve që po kryhen për rehabilitimin e sheshit “Skenderbej”. Bashkia e Tiranës ka dhënë urdhër që të ndalohet lëvizja e automjeteve në qendër, duke devijuar kështu edhe ato që vijnë nga “Rruga e Kavajës”. Ndërkohë që itinerari i ri i përcaktuar për automjetet përjashton kalimin në bulevardin “Zogu I” dhe kalon këtë pjesë në rrugën pas Muzeut Kombëtar. Për ata që duan të kalojnë në “Rrugën e Dibrës” nga bashkia është lejuar kalimi pas Bankës së Shqipërisë. Punimet në sheshin “Skenderbej” janë kthyer në shkakun kryesor për kaosin në trafikun e kryeqytetit, ndërkohë që nga ana e bashkisë po mundësohet sigurimi i sinjalistikës së re, për të mundësuar lëvizjen në qendër të Tiranës dhe në rrugët që do t’u ndryshohet kahu i lëvizjes. Kaosi në trafik e ka detyruar bashkinë që të marrë një sërë masash për sistemimin e tij, ndërkohë që të përfshirë në proces janë edhe policët bashkiakë, të cilët po angazhohen me ndalimin e automjeteve që synojnë hyrjen në shesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›