Mustafaj: Kujdes, ligjin mund ta kthejë Gjykata
Megjithë vendosmërinë e Kryeministrit Berisha për të votuar në unanimitet brenda të djathtës ligjin e Dosjeve, deputeti demokrat, Besnik Mustafaj ka hedhur dyshime mbi mundësinë e kthimit të ligjit nga Gjykata Kushtetuese. Burime pranë grupit të PD-së, bëjnë të ditur, se Mustafaj i është referuar disa takimeve me zyrtarë të huaj, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre mbi kushtetutshmërinë e draftit. "Unë do e votoj, por si do të veprojmë nëse do e kthejë Gjykata Kushtetuese? Në disa takime me ambasadorë të huaj më është thënë, se ligji shkel Kushtetutën", mësohet të ketë thënë Mustafaj. Nga ana tjetër Kryeministri është shprehur se nëse ligji kthehet nga Kushtetuesja, do të votohet sërish, por duke marrë parasysh vërejtjet e saj. Në të njëjtën kohë Berisha është shprehur se në një drekë të 10 dhjetorit me përfaqësues të huaj në Tiranë ka marrë parimisht mbështetjen e tyre.