E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha përkujton shenjtërimin e Nënë Terezës: Bijë e madhe e kombit shqiptar

TIRANË, 5 shtator/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përkujtoi sot 10-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, si një nga figurat më të mëdha të njerëzimit dhe “bijën më të shquar të kombit shqiptar”.

Në një status në rrjetet sociale, Berisha rikujton se më 5 shtator 2016, në sheshin “Shën Pjetri” në Romë, papa Françesku shpalli shenjtore Nënë Terezën e Kalkutës.

“Sot është një ditë e shënuar për kombin shqiptar dhe për mbarë botën e krishterë. Sot kujtojmë përvjetorin e shenjtërimit të bijës më të shquar të kombit shqiptar, Nënë Terezës. Më 5 shtator 2016, në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë, Papa Françesku shpalli shenjtore Nënë Terezën e Kalkutës, gruan shqiptare që me jetën, veprën dhe dashurinë e saj për të varfrit e të pamundurit u bë një nga figurat më të mëdha të njerëzimit”, tha Berisha.

Berisha theksoi se për shqiptarët, shenjtërimi i Nënë Terezës ishte një nderim i jashtëzakonshëm.

“Ishte kurorëzimi i një jete të rrallë, por edhe një dëshmi madhështore e vlerave që shqiptarët kanë mundur t’i japin njerëzimit. Në atë ditë historike, Papa Françesku e cilësoi Nënë Terezën si ‘shpërndarëse të mëshirës hyjnore’, duke nderuar përmes saj një jetë tërësisht të përkushtuar ndaj njeriut, veçanërisht ndaj atyre që nuk kishin më asgjë, përveç nevojës për një dorë të shtrirë dhe një zemër që t’i donte”, u shpreh Berisha.

Berisha vlerësoi kontributin e saj në shërbim të të varfërve, të sëmurëve dhe të braktisurve, duke theksuar se ajo “lindi shqiptare, u bë qytetare e botës dhe mbeti deri në fund një bijë krenare e kombit të saj”.

Kreu i PD-së e cilësoi figurën e Nënë Terezës si dëshmi të vlerave, dashurisë dhe humanizmit që shqiptarët i kanë dhënë njerëzimit.

Sipas tij, Nënë Tereza është një nga dëshmitë më të ndritshme se madhështia e një kombi nuk matet vetëm me fuqinë apo pasurinë e tij, por me vlerat, dashurinë dhe humanizmin që ai i dhuron njerëzimit.

Në përfundim, Berisha shpreh admirim dhe krenari për Shën Nënë Terezën, duke e cilësuar “bijë të madhe të kombit shqiptar”.

“Ajo lindi shqiptare, u bë qytetare e botës dhe mbeti deri në fund një bijë krenare e kombit të saj. Me përulësi, admirim dhe krenari, ne kujtojmë sot Shën Nënë Terezën, gruan që ia kushtoi jetën më të varfërve, të sëmurëve, të braktisurve dhe të vuajturve; gruan që u dha miliona njerëzve shpresë, dinjitet dhe dashuri”, tha Berisha.

1 nga 3

/m.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›