E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha përsërit apelin për ndërtimin e Unazës së Madhe

Kryeministri akuzon bashkinë e Tiranës, si apatike ndaj mbrojtjes së mjedisit

Kreu i qeverisë Sali Berisha e konsideron mbrojtjen e mjedisit si një përparësi të madhe ekzekutivit që drejton, ndërkohë që kritikon situatën e rënduar në kryeqytet nga mos funksionimi i bashkisë së Tiranës ndaj mbrojtjes së mjedisit. Berisha vlerësoi si të drejtë shqetësimin e qytetarëve të Tiranës për situatën e papranueshme mjedisore në kryeqytet.
“Mjedisi është gjithashtu një përparësi e madhe. Unë mendoj se qytetarët shqiptarë kanë të drejtë kur ankohen dhe gjykojnë mjedisin nga kryeqyteti i tyre, pasi, vërtet, situata është e papranueshme dhe unë nuk kam ndër mend ta përdor aspak këtë akuzë për qëllime politike, sepse nuk e zgjidh problemin”, tha kryeministri.
Nga ky aspekt, Berisha tha se “problemin e zgjidhin ndërhyrje të fuqishme në Tiranë, ndaj dhe ne i kemi ofruar kryetarit të bashkisë së Tiranës së fundi një ofertë të sinqertë, të ndërtojmë unazën e Tiranës, segmentin që është brenda qytetit ta ndërtojë bashkia dhe madje, ne jemi të gatshëm të marrim borxhin për bashkinë pjesën jashtë qytetit që del në territorin e komunave të tjera”.
Sipas kryeministrit, bashkia duhet të vetë kufizohet dhe duhet ta ndërtojnë atyre që u takon.
“Mendoj se kjo përbën një zhvillim pozitiv në zgjidhjen e problemit madhor të trafikut që është dhe ndotësi numër një i Tiranës, pasi Tirana nuk ka industri kimike, nuk ka termocentrale të mëdha. Tirana, ndotjen 2 herë më të lartë se qytetet e tjera e ka pikërisht nga trafiku. Edhe ndërtuesit janë ndërgjegjësuar dhe kanë filluar të përdorin perdet që pengojnë përhapjen e pluhurit në rrugë, që është një gjë shumë pozitive dhe duhet ta respektojnë plotësisht”, tha më tej Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›