E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e pagave dhe e pensioneve, përparësia e buxhetit 2010

Politika e rritjes së ndjeshme të pagave dhe pensioneve; riorganizimi tërësor i ndihmës ekonomike; mbështetja e reformave në arsim e shëndetësi, shtrirja e shoqërisë së informacionit si dhe mbështetja e projekteve të mëdha në fushën e infrastrukturës, janë përcaktuar si prioritetet e mëdha të buxhetit vjetor, i cili u miratua dje në mbledhjen e qeverisë

Qeveria miratoi dje projekt-buxhetin për vitin 2010-të, dokumentin më ambicioz të hartuar në një periudhe krize të rëndë botërore, ndonëse për Shqipërinë garanton realizimin e projekteve të mëdha. Kryeministri Berisha, gjatë analizimit të buxhetit të vitit të ardhshëm, deklaroi se ky buxhet parashikon rritje të mëtejshme të pagave dhe pensioneve, kryesisht niveli i pagave të ulëta dhe atyre mesatare, ndërsa për pensionet, qeveria duket e vendosur t’i shkojë deri në fund angazhimit, për barazim të pensioneve të fshatit me ato të qytetit.
“Pas një pune disa mujore, bazuar në një ligj të ri, me një kushtetutë të re për buxhetin, qeveria dërgon në parlament buxhetin më ambicioz në historinë e saj, buxhetin e hartuar në periudhën e një stuhie të madhe evropiane dhe botërore, buxhetin që premton një realizim më të madh në të gjitha aspektet. Së pari, ky buxhet mbështet sërish politikën tonë të rritjes së ndjeshme të pagave dhe pensioneve dhe mendoj se kjo ka një domethënie të jashtëzakonshme. Ne jemi të vetmit që në këtë buxhet parashikojmë dhe vendosim të rrisim sërish pagat dhe t’i rrisim ato që në vitin e ardhshëm. Kjo rritje është rezultat i rritjes së parashikuar të të ardhurave me rreth 12 për qind dhe bëhet e mundur pikërisht për shkak të saj. Përparësi në këtë rritje do të kenë sërish pagat e ulëta dhe të mesme. Niveli i pagave të larta do të ketë një rritje modeste, pa inflacionin prej 2 për qind, me inflacionin prej 4 për qind. Ndërsa do kenë rritje të ndjeshme pagat e mesme, të mësuesve, rritje të madhe do të kenë ato të infermierëve dhe mjekëve në sistemin e ri, rritje të ndjeshme do të kenë pagat e policisë, ushtrisë dhe administratës. Rritje të ndjeshme, në përputhje me platformën elektorale, do të kenë pensionet. Ne jemi të vendosur të ecim drejt qëllimit tonë të barazimit të pensioneve fshat-qytet. Ndaj edhe kjo rritje do të jetë më e madhe për pensionet e fshatit, sepse pensionet e fshatit janë më të ulëtat në vend dhe pavarësisht se ato u dyfishuan, sërish mbeten në nivele që duhen rritur më tej. Rritje do të kenë pensionet e ulëta. Pra, angazhohen shuma të mëdha në rritjen e pagave dhe pensioneve”, garantoi kryeministri Berisha.
Në vijim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Berisha iu referua dhe skemës së ndihmës ekonomike, për të cilin siguroi një riorganizim të plotë me synim eliminimin e varfërisë së skajshme.
“Pas kësaj mbledhjeje, ne vazhdojmë një mbledhje tjetër me të gjitha agjencitë respektive, ku do të përcaktojmë kritere të reja të ndihmës ekonomike, që do të synojnë t’i përgjigjen së pari mjerimit. Nuk duhet të ketë familje në Shqipëri, nuk duhet të ketë qytetarë shqiptarë që të zgjohen dhe erren me dhimbjet e mjerimit. Ne do të adaptojmë një skemë të tillë që do të shkojmë drejt zemërimit të mjerimit apo siç quhet, varfërisë së skajshme në Shqipëri, që, sipas një studimi, është 1.3 për qind, por edhe pse në përqindje duket e vogël, është për t’u marrë me seriozitet, pasi janë mijëra familje”, u shpreh kryeministri.
Buxheti i vitit 2009, që pritet të miratohet së shpejti në parlament pas shqyrtimit në qeveri, parashikon realizimin e projekteve të mëdha në infrastrukturë. Kryeministri Berisha premtoi ecjen me shpejtësi në realizmin e Boshtit rrugor të Jugut, lidhjes së re rrugorë Tiranë-Elbasan, por dhe Rruga e Arbrit shënon zhvillime të reja.
“Ky buxhet do t’i përgjigjet projekteve të mëdha ambicioze të infrastrukturës dhe reformave në sektorë të ndryshëm. Ne do të investojmë të gjitha fondet që rruga e Arbrit të mund të përfundojë deri nga fundi i vitit 2011 apo gjysma e vitit 2012, në varësi nga përfundimi i projektit të disa pjesëve mjaft problematike, siç është ura më e lartë e vendit 150 metra e lartë dhe disa tunele që kërkojnë kohën e finalizimit të projektimit; do të ecet me shpejtësi drejt boshtit të jugut; segmenti Tiranë-Elbasan dhe Elbasan-Berat; shpresoj që nga fundi i vitit të ardhshëm boshti i jugut të fillojë dhe në trajektoren Berat-Tepelenë”, theksoi Berisha.
Përsa i takon sektorit të shëndetësisë, Berisha u shpreh për reformë të thellë në të gjithë sistemin.
“Lidhur me reformat, dua të theksoj se reforma e të gjitha reformave do të jetë shëndetësia. Ky vit shënon një riorientim të fondeve të tëra në funksion të reformës, të cilat përfshijnë si vendosjen e marrëdhënieve të reja kontraktuale midis prodhuesve të produkteve dhe blerësve të tyre, thellimin e këtyre marrëdhënieve, ashtu edhe përpjekjen e madhe për dixhitalizimin e të gjithë sistemit”, theksoi më tej kryeministri.
Në buxhetin e ri me përparësi do të trajtohet mjedisi. Kryeministri i cilësoi të justifikuara shqetësimet e qytetarëve për nivelin e lartë të ndotjes në kryeqytet. Zgjidhja e kësaj problematike do të shënonte sipas tij, zhvillime pozitive në parametrat mjedisore.
Gjithashtu, buxheti i ri garanton mbështetje të fuqishme për fshatin dhe bujqësinë.
Për fshatrat, qytetet, bashkitë, komunat dhe qarqet e vendit do të jetë mobilizimi më i madh i fondeve financiare në historinë e vendit.
“Mund të informoj me kënaqësi se shuma prej 400 milion dollarë, e përcaktuar për rrugët rurale, po shkon drejt plotësimit dhe kam besim të madh se gjatë vitit 2010 edhe tejkalimi i kësaj shume. Donatorë, të udhëhequr nga banka Botërore, për shkak të besimit të palëkundur tek kjo qeveri, që e thënë me terma që kuptojnë qytetarët po ‘zgjidhin qesen’, grantet dhe donacionet e tyre, çka përbën një avantazh shumë të madh”, tha Berisha.
Në fushën e arsimit, kryeministri përmendi objektivin që brenda 2013 të mbërrihet drejt vendimit për arsimim të mesëm të detyrueshëm. Berisha nuk përjashtoi mundësinë e debatit mbi këtë çështje, por tha se kjo është reformë e domosdoshme. Buxheti mbështet fuqishëm projektin Shqipëria dixhitale, viti që vjen tha Berisha do të shënojë revolucion në licensat për frekuencat dhe tregun e telekomunikacioneve.
Lidhur me luftën kundër kriminalitetit, Berisha tha se do të marrë përgjigje serioze. Për këtë kryeministri kërkoi angazhimin e posaçëm të ministrit Basha.
Ndërkaq, mbështetje e fortë financiare garantohet për Ministrinë e Mbrojtjes me 2 % të GDP-së, Ministria e Integrimit për të gjitha hapat që garantojnë përafrimin me BE, Ministria e Jashtme për hapjen e Ambasadave të reja dhe modernizimin e sistemit të vizave, Ministria e Ekonomisë për reformën rregullatore, projekte të energjisë apo fushën minerare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›