Do përmbushim rekomandimet e raportit

Ministri Meta takon reporterët e KE-së
Edhe zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me delegacionin e Reporterëve të Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. David Ëilshire dhe z. Jaakko Laakso.
Gjatë bisedimit Meta theksoi se “përmbushja hap pas hapi e rekomandimeve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës është konsideruar si detyrë e rëndësishme e Shqipërisë dhe institucioneve të saj”.
Në vijim, Meta shprehu bindjen se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, aplikimi për statusin e vendit kandidat për në BE, si dhe ecuria në procesin e liberalizimit të vizave janë tregues të drejtpërdrejtë të suksesit të reformave institucionale.
Ndërsa reporterët nga ana e tyre vlerësuan rolin e Shqipërisë, si një kontribuuese e rëndësishme e paqes jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.
Ministri i Jashtëm, Meta, falënderoi reporterët për vëmendjen që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i kushton zhvillimeve në Shqipëri dhe e siguroi delegacionin se koalicioni qeverisës është krijuar dhe funksionon për avancimin e Shqipërisë në familjen evropiane dhe se klasa politike shqiptare do të jetë e aftë të tregojë pjekurinë e nevojshme politike.