“Për zgjedhjet flet një raport zyrtar, nuk janë konstatuar parregullsi”

Kreu i qeverisë pret në takim reporterët e Komisionit Europian
Përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës shprehen se i qëndrojnë plotësisht raporteve tashmë të publikuara nga faktori ndërkombëtar për zgjedhjet, përfshi edhe vëzhguesit e dërguar nga KE, dhe se nuk ka nevojë që të diskutohet më për këtë çështje në raportin qe ata po përgatisin
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Jaako Laakso dhe David Ëilshire. Reporterët Laakso dhe Wilshire e uruan kryeministrin Berisha për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit dhe fitoren e koalicionit qeverisës në këto zgjedhje. Më tej, reporterët i bënë me dije Kryeministrit se, pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, vizita e tyre është një vizitë rutinë, për të shprehur gatishmërinë e Asamblesë Parlamentare të KE-së për të ndihmuar dhe për të dhënë mbështetjen e saj për Shqipërinë, për çështje me interes të përbashkët.
Kryeministri Berisha i falënderoi reporterët për vizitën, duke u shprehur gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë me Këshillin e Evropës dhe Asamblenë Parlamentare.
Në takim u diskutua për situatën pas-zgjedhore në vend. Kryeministri Berisha u bëri me dije reporterëve të Këshillit të Europës se zgjedhjet parlamentare ishin zgjedhjet më të mira të zhvilluara në Shqipëri, gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, me infrastrukturën më moderne të teknologjisë së lartë të informacionit, me kuadrin ligjor tërësisht të ri, të hartuar dhe miratuar me konsensus të gjerë mes mazhorancës dhe opozitës dhe se Ëatchdoog-u i zgjedhjeve konfirmon se nuk ka pasur parregullsi për sa i përket procesit të numërimit apo nxjerrjes së rezultatit. Për sa i përket kërkesave të opozitës në vend për rinumërim, në takim u theksua se, në asnjë rast, politika nuk mund të ndërhyjë për të ndryshuar vendimet e gjykatave.
Kryeministri Berisha i falënderoi reporterët për mbështetjen e vazhdueshme të Asamblesë Parlamentare dhe Këshillit të Europës ndaj Shqipërisë dhe i siguroi për vendosmërinë e qeverisë për të vazhduar këtë bashkëpunim të ngushtë.
Përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës u shprehën se i qëndrojnë plotësisht raporteve tashmë të publikuara nga faktori ndërkombëtar për zgjedhjet, përfshi edhe vëzhguesit e dërguar nga KE, dhe se nuk ka nevojë që të diskutohet më për këtë çështje në raportin qe ata po përgatisin.
Në takim u diskutuan edhe çështje që kanë të bëjnë me zhvillimet në rajon.