Berisha përshëndet 60 vjetorin e Deklaratës Universale të OKB-së për të drejtat e njeriut
Kryeministri Sali Berisha përshëndeti të mërkurën 60 vjetorin e Deklaratës Universale të OKB-së për Mbrojtjen e të Drejtave të Lirive të Njeriut, e miratuar në Paris në vitin 1948.
"Sot, Shqipëria, Ballkani dhe Europa kremtojnë këtë ditë më të lirë se kurrë në historinë e tyre", tha Kryeministri në një konferencë për shtyp në selinë e qeverisë, duke nënvizuar se shqiptarët duhet ta kremtojnë këtë ditë më shumë se çdo komb tjetër, pasi përjetuan diktaturën komuniste më të egër se në gjithë vendet e tjera.
Sot, 18 vjet pas rënies së regjimit komunist, z. Berisha tha se ne kemi të drejtë të krenohemi me arritjet në fushën e të drejtave të njeriut. "Në Shqipëri liritë dhe të drejtat e qytetarëve janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj, por kjo ditë na fton të gjithë që të jemi më të përkushtuar ndaj mbrojtjes së tyre, pasi megjithë progresin e pamohueshëm ekzistojnë probleme", theksoi ai.
Në këtë drejtim, z.Berisha veçoi problemet serioze që ekzistojnë në institucionet e vuajtjes së dënimit, duke siguruar se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të ndryshuar me shpejtësi standardet ekzistuese në këtë fushë.
"Probleme ekzistojnë edhe në procesin e kthimit të pronave", nënvizoi Kryeministri, duke kërkuar që të bëhët çdo përpjekje që të mbrohet e drejta e pronës si një e drejtë themelore e qytetarëve shqiptarë.