"Berisha po kërcënon prokurorinë"
Lideri i opozitës, Edi Rama, mori dje në mbrojtje organin e akuzës, përballë asaj çka e cilësoi agresion prej qeverisë. Në një komunikim me median, kreu i Partisë Socialiste tha se Kryeministri është tërësisht i implikuar në një proces të transformimit të qeverisë në një instrument në duart e një klani. "Çështja që lidhet me daljen në skenë të një marifetçiu nga më të rëndomtit, po, njëkohësisht, dhe me problematikët e rajonit tonë është një nga shprehjet më kuptimplota të kësaj katandie të qeverisjes në Shqipëri", u shpreh Rama. Sipas tij, po përshkallëzohet një luftë më e hapur mes klanit Berisha dhe Prokurorisë së Republikës e materializuar kjo në shprehjen e paimagjinueshme të luftës me prokurorinë nga ana e dy dikastereve qendrore: Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Drejtësisë. "Besoj që asnjëherë më parë në këtë shtet nuk janë shfaqur kthetrat e pushtetit më hapur në mënyrë më arrogante dhe pa asnjë vetëpërmbajtje formale sesa në rastin e kërcënimit publik të prokurorëve", theksoi Rama. Lideri i së majtës mendon se, për ne, është e pa tolerueshme që Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë të kërcënojnë publikisht Prokurorinë e Republikës dhe të bëhen mburojë e një marifetçiu të rëndomtë ballkanik. "I përzier në shumë e shumë afera të dyshimta dhe i kthyer në një pikë referimi për interesat tërësisht të paligjshëm e të papërligjur të klanit Berisha", theksoi Rama. Kjo, vijoi ai, është shprehja më kuptimplotë e degradimit të marrëdhënieve mes kësaj qeverie dhe institucioneve kushtetuese të vendit. Rama këmbënguli se, mes Sali Berishës dhe qytetareve e qytetarëve që e kanë votuar për të luftuar korrupsionin e që sot po shohin përditë e më shumë se duart e pastra të vitit 2005 nuk janë asgjë më shumë sesa duart, përmes së cilave realizohen interesa personale e klanore. "Të cilat mbajnë, tërheqin e lëshojnë fijet që e lidhin qeverinë e Shqipërisë me botën e përfitimeve të paligjshme", insistoi Rama. PS sqaron se asnjë reagim propagandistik dhe njëkohësisht jo etik, joligjor, jo kushtetues i Ministrive dhe i ministrave të Sali Berishës nuk e zbeh, e nuk e mbulon dot këtë pamje kaq dramatike të katandisjes së shtetit ligjor në Shqipëri. "Përkundrazi, këto reagime e nënvizojnë edhe më fort se në ç‘nivel ka rënë qeverisja e vendit dhe se sa vite drite larg janë interesat e qytetareve dhe qytetarëve shqiptarë nga interesat e Sali Berishës dhe klanit të tij", konstatoi Rama. I pyetur sa i takon ish-sekretarit amerikan për Sigurinë Kombëtare, Tom Rigde, Rama tha se "s‘e kam përmendur, as s‘e përmend dhe as hyn në horizontin e vëmendjes sime". Rama i mëshoi idesë se është e pa tolerueshme që Prokuroria e Republikës të kërcënohet publikisht dhe që Ministria e Brendshme, së bashku me Ministrinë e Drejtësisë të bëjnë, jo detyrën e tyre kushtetuese dhe ligjore, por mburojën e interesave paligjshme të marifetçiut. Rama mohoi të ketë njohje me biznesmenin Damir Fazliç. "Nuk kam asnjë njohje me këtë mashtrues ballkanik dhe, për fat të mirë, jam tërësisht refuzues ndaj këtij soji, që është soji i miqve dhe klientëve të Sali Berishës, ministrave të tij", këmbënguli ai. Për fat akoma më të keq për gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët, shtoi Rama, është soji që dikton politika qeverisëse, që realizon lidhjen e Sali Berishës me botën e interesave të paligjshme dhe që funksionon vetëm në emër të këtyre interesave. "Jam absolutisht në mbrojtje dhe mbështetje të Prokurorisë së Republikës. Nuk besoj se miqtë dhe mbrojtësit e Damir Fazliçit dhe të kësaj bote të errët, që përfaqëson ky marifetçi i rëndomtë ballkanik", tha Rama.