E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: Alibeaj e Nishani të ndalin sulmet

Kreu i demokristianëve, Nard Ndoka, deklaroi dje se e shikon fushatën kundër institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme, si një përpjekje për të vënë nën kontroll institucionet e pavarura. "Sa herë që ka çështje të përfolura për t‘u hetuar, shteti mobilizon të gjithë mekanizimet e tij në luftë me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama", u shpreh Ndoka. Pavarësisht, sipas tij, se kjo mazhorancë ja dha asaj mandatin e Kryeprokurores dhe i kërkoi një luftë të pakompromis me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ndoka vlerësoi se është e papranueshme që sapo çështja "Fazliç" u bë objekt i hetimit nga Prokuroria, qeveria mobilizon në sulm dy ministri kundër Kryeprokurores, Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Drejtësisë. "Përpjekja për të penguar hetimet, siç po veprohet gjatë muajve të fundit, duke filluar me tragjedinë e Gërdecit, apo tani së fundi me dosjen "Fazliç", komprometon keq qeverinë dhe angazhimin e saj për një luftë të pakompromis kundër korrupsionit", nënvizoi Ndoka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›