Berisha po rrëzon vetveten

Kryetarja e grupit socialist tha se qeveria e zotit Berisha po bie vetvetiu nga perlyerja e saj me trafikun e armeve dhe mafien
Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, ka deklaruar në Kuvend, se qeveria dhe kryeministri i saj, Sali Berisha, po rrëzohet nga trafiku i armëve dhe nga mafia. Drejtuesja e socialistëve në Parlament,ka kërkuar përgjigje serioze nga kryeministri Berisha, lidhur me akuzat dhe kontratat e hartuara nga mafia. Leskaj kërkoi që në fillim të seancës parlamentare, që shpërthimi tragjik në Gërdec, si dhe trafiqet e armëve nuk mund të trajtohen si ngjarje të lehta, pasi në të vërtetë gjithçka përbën një krim të rëndë shtetëror. “Nuk mund ta trajtoni kaq lehtë një ngjarje kaq të madhe, një krim shtetëror, i cili ka në qendër të tij kryeministrin e vendit”, deklaroi Leskaj. Duke folur në emër të të gjithë deputetëve socialistë, numri një i tyre theksoi se kreu i kabinetit qeveritar duhet të japë sqarime lidhur me një sërë çështjesh delikate. “Përse kryeministri ka kontraktuar të ashtuquajturën kompani, që është klub nate në Qipro? Përse kryeministri ka kontraktuar kompaninë e Delijorgjit? Përse kryeministri ka lejuar këtë diferencë të madhe në çmimin e armatimit? Përse kryeministri nuk ka dhënë akoma një përgjigje, të cilën duhet ta japë sot këtu dhe ka gënjyer lidhur me numrin e njerëzve që kanë humbur dhe që janë zhdukur?!” - ka deklaruar kryetarja e grupit kuvendor socialist. Numri një i ligjvënësve të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, kujtoi deklaratat e shefit të ekzekutivit, Sali Berisha, ditën e parë pas shpërthimit tragjik në Gërdec. “Ditën e parë ka thënë (Berisha) që kemi qenë me fat që janë pak të humbur dhe sot rezulton që janë 24 dhe nuk dihet dhe sa të tjerë janë aty”, theksoi ajo. Për Leskajn, seanca parlamentare nuk mund të mbyllet pa marrë një përgjigje për këto çështje, që lidhen me “kompanitë e kontraktuara, për çmimin dhe për njerëzit e humbur në këtë tragjedi skandaloze”. “Nuk dua që të spekuloj, por dua të them, që kryeministri duhet të japë përgjigje për këtë akuzë që i bëhet këtu, që është krahasuar me mafien. Kjo është një aktakuzë shumë e rëndë. Meqenëse kryeministri tha se opozita do të karrigen e kryeministrit dhe të rrëzojë kryeministrin, ju them se atë (kryeministrin) dhe këtë qeveri e ka rrëzuar trafiku”, nënvizoi drejtuesja e deputetëve socialistë.