E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delijorgji flet nga burgu

Mihal Delijorgji

Intervistë jo-ekskluzive e pronarit të fabrikës që akuzohet per tragjedine e rende te 15 marsit. Çfare lidhjesh ka pasur Mihal Delijorgji me djalin e kryeministrit, me politikane te tjere, me Efraim Diverolin dhe pikëpyetje te tjera te medha te rastit "Gërdec 2008"

TIRANË - Padyshim që tragjedia e Gërdecit dhe gjithçka ndodhi mesditën e 15 marsit ndryshoi dhe jetën e Mihal Delijorgjit. Biznesmeni i njohur me siguri që do të kishte vazhduar të lidhte kontrata me shumë zero, nëse çdo gjë në fabrikën ku firma e tij “Albademil” bënte çmontimin e municioneve, nuk do të kthehej në hi dhe do të shfaroste një fshat të tërë, duke shkaktuar minimalisht 21 viktima dhe rreth 300 të plagosur. Emri i tij mbase do të kishte vazhduar të ishte thjesht i lakuar në rrethe të ngushta biznesi e politike, por jo në seanca Kuvendi apo në mbledhje pozite dhe opozite, aq sa është fiksuar dhe në kokat e fëmijëve.

Vetëm 10 ditë pasi ka provuar shijen e prangave dhe ndodhet në qelitë e paraburgimit të burgut 313, Mihal Delijorgji dha dje një intervistë për gazetën “Korrieri”, ku flet për raportet e tij me familjen Berisha, dyshimet për përfshirje në trafikun e municioneve, lidhjet me politikanë të tjerë, me firmat “Meico”, “AEY” dhe “Evdin”. Ku ishte Delijorgji mesditën e 15 marsit? Çfarë mund të fshihet pas kësaj tragjedie? Në intervistën e sotme “Korrieri” ju sjell të vërtetën sipas Mihal Delijorgjit...

-Ajo çka më shumë është përfolur gjatë ditëve të fundit, është një miqësi e vërtetë ose e supozuar me djalin e kryeministrit Berisha, Shkëlzenin. Si është e vërteta? Jeni miq dhe a keni aktivitete tregtare të përbashkëta? 

“Absolutisht jo! Asgjë nuk është e vërtetë nga ato që janë përfolur në media. Nuk kam pasur asnjë raport personal apo tregtar qoftë me kryeministrin, apo qoftë me djalin e tij”.

-A jeni i përfshirë në tregtinë e municioneve? Cilët janë bashkëpunëtorët dhe destinacionet e kësaj tregtie nëse kjo ekziston?

“Absolutisht jo! Nuk kam pasur asnjëherë asnjë aktivitet që ka të bëjë me tregtimin apo shitjen e armëve. Veprimtaria ime është vetëm demontimi i predhave, për të cilën kam kontratë të ligjshme dhe të rregullt me kompaninë amerikane”.

-Cili ka qenë raporti juaj me kompanitë “Meico”, “Evdin” dhe “AEY”? I njihni të gjithë krerët e këtyre kompanive? Në çfarë rastesh i keni takuar?

“Nuk kam asnjë njohje me asnjërën nga kompanitë që përmendët. E vetmja firmë që njoh është “Southern Ammunition Company Inc”, me të cilën jemi aksionerë”.

-Çfarë destinacioni kishin predhat dhe baruti i demontuar?

“Ishte detyrë ligjore e firmës amerikane të merrej me barutin që dilte nga demontimi i predhave. Detyra e firmës sime ishte vetëm demontimi i predhave, mbetjet e së cilave bëheshin skrap. Hekurishtet më pas tregtoheshin jashtë shtetit, por ka pasur dhe raste që i janë shitur firmës “Kurum”.

-Çfarë ndodhi sipas jush mesditën e 15 marsit në fabrikën e çmontimit në Gërdec? Akt terrorist? Konkurrenca? Kushte të ulëta sigurie? Gabim njerëzor?

“Atë ditë isha në Durrës, kur më mori në telefon drejtori i fabrikës, Dritani. Ai më tha që ka pasur disa shpërthime në fabrikë dhe për këtë kam lajmëruar zjarrfikëset dhe policinë. Nuk ka kohë për zjarrfikëset, i thashë, por jepu urdhër punëtorëve të dalin nga fabrika dhe u nisa drejt Gërdecit. Kur isha në afërsi të fshatit ndodhi dhe shpërthimi i fuqishëm, ku disa prej predhave dëmtuan dhe makinën me të cilën udhëtoja. Në vendngjarje kam marrë kontakt me të gjithë autoritetet zyrtare që ndodheshin aty, duke iu dhënë informacion si administrator i fabrikës. Tregova gatishmërinë si për ndihmë në të gjitha drejtimet, ashtu edhe për procesin hetimor. Atë ditë prokurori më mori në pyetje në ambientet e Bashkisë së Vorës. Për shkakun e shpërthimit, dyshoj se ka qenë i qëllimshëm, pasi unë nuk kam pasur asnjë konflikt qoftë personal, qoftë si biznesmen”.

-A është e vërtetë se rrezikuat dhe ju vetë jetën nga një predhë mesditën e 15 marsit?   

“Po, është e vërtetë. Disa predha dëmtuan makinën time, pasi unë i shkova në ndihmë një nuseje të cilën e largova nga fshati. Gjatë rrugës së kthimit disa predha goditën makinën”.

-Cili ishte momenti i shoqërimit dhe si ju ndaluan?

“Ishte ditë e hënë pasdite. Unë isha në shtëpinë time, kur ka ardhur nëndrejtori i policisë së Tiranës. Më tha se duhet të shoqërojmë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Nuk hezitova fare. U vesha dhe pa kryer asnjë veprim tjetër hipa në makinën e policisë”.

-Sa e vërtetë është që gjatë kohës së shoqërimit ju keni marrë shumë sms nga njerëz me influencë dhe pushtet?

“Është e vërtetë që në telefonin tim kanë ardhur shumë sms kur më kanë shoqëruar, por jo nga njerëzit e politikës. Kam pasur shumë sms nga të njohur, miq dhe punonjës të mi, por jo nga politikanë”.

-Cili ka qenë raporti juaj me politikën në përgjithësi? A ka miq në politikë Mihal Delijorgji?

“Njohje kam, por nuk mund të them miq. Unë jam biznesmen dhe shikoj aktivitetet e mia tregtare. Me ata politikanë që kam njohje, nuk kam kaluar kurrë në marrëdhënie pune”.

-A e shikoni veten si viktimë të lidhjeve apo konjukturave politike?

“Politika ka vendin e saj. Unë jam biznesmen, nuk jam politikan. Jetoj në një shtet demokratik, ku unë kam ushtruar një aktivitet të ligjshëm dhe këtë gjë do ta provoj me fakte dhe prova”.

-Keni ndonjë koment për kërkesën e prokurorisë për të sekuestruar pasuritë tuaja?

“Nuk e gjykoj të drejtë kërkesën e organit të akuzës për sekuestro, kjo për faktin se pozicioni im është ai i administratorit”.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›