Berisha pranon konfliktin me pushtetin vendor: Të shqyrtohen pretendimet
Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha ka pranuar më në fund se ekziston një konflikt mes qeverisë dhe pushtetit vendor. Pas protestave të kryetarëve të bashkive të qyteteve kryesore të vendit, Berisha pranoi gjatë mbledhjes së djeshme të Grupit Parlamentar të PD-së reduktimin e buxhetit të parashikuar për pushtetin vendor. Kryeministri Berisha ftoi ministrin e Financave Bode dhe ministrin e Brendshëm Basha që të organizojnë një tryezë me pushtetarët vendorë për të shqyrtuar kërkesat e tyre. Kjo tryezë që kërkon të organizojë kryeministri Berisha duhej të ishte zhvilluar para se të miratoheshin ndryshimet në ligj, që parashikojnë uljen e të ardhurave për arkat vendore. Kryetarët e bashkive duhet të kishin qenë pjesë e hartimit të ligjit dhe mendimi i tyre duhej të ishte marrë në konsideratë që në fillim të procesit ligjbërës. Duket qartë se qëllimi i kësaj deklarate është të zbehë pak tonet e protestave të shumta që kanë përfshirë vendin.
Tryeza
“Unë sërish u kam kërkuar ministrit të Financave dhe ministrit të Brendshëm që të thërrasin në një tryezë të rrumbullakët Shoqatën e Bashkive dhe Komunave të vendit, pra të realizojnë një tryezë shumë të zgjeruar, ku të marrin pjesë edhe këta zotërinj, të cilët nuk kishin asgjë të përbashkët me protestën e plehut, sepse plehu lidhej vetëm me një person, dhe është e qartë se me kë. Këta drejtues lokalë kanë ardhur, vijnë dhe do të vijnë në zyrën time sa herë të kenë nevojë për problemet e qytetarëve. Pra, ministrat e mësipërm le të ulen me këta përfaqësues dhe t’u japin atyre garanci të plotë se çdo zvogëlim, çdo qindarkë e munguar për shkak të politikës sonë të taksave të ulëta, do t’u kompensohet nga buxheti i shtetit, madje edhe më shumë. Unë dua të theksoj këtu se ne jemi të vendosur të rrisim sa më shumë investimet për komunitetin, ne jemi të vendosur që ato investime të realizohen sa më shpejt, sa më mirë të kontrolluara, sa më me eficiencë”, - është shprehur Berisha.
Më tej ai i cilësoi të pavenda kërkesat e pushtetarëve vendorë, duke shtuar se protestat bëhen vetëm për interesat e aleancës mafioze. “Një protestë e atyre që kanë pasur nga kjo qeveri 3-4 herë financime më të mëdha sesa më parë, të ngjall keqardhje kur sheh partnerë që protestojnë për atë që s’ka asgjë të përbashkët me interesat e qytetarëve të tyre, por vetëm në funksion të aleancës. Lëvizja që ne bëjmë në kuadrin fiskal ka për qëllim së pari mbrojtjen dhe zbatimin e politikës së taksës së ulët. Në filozofinë tonë, sa më e vogël administrata, aq më shumë rriten shanset e punësimit në sektorin privat, aq më shumë zvogëlohet abuziviteti mbi sektorin privat”, - është shprehur Berisha.
Ftesë opozitës
Më tej, në fjalën e tij, kryeministri vuri theksin në zhvillimet e ardhshme parlamentare në vend, ku kryefjalë mbeten reformat. Ai i bëri thirrje opozitës të rimarrë vendin e saj në Kuvend. “Në axhendën e Parlamentit dhe të qeverisë kanë pasur dhe do të kenë përparësi të gjitha reformat që lidhen me integrimin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. Jam sot këtu për të ftuar opozitën të marrë rolin e saj. Oferta e bërë prej nesh është jashtëzakonisht serioze, e ndershme, dinjitoze. Janë ligjet, reformat në Parlament, dhe jo thasët e plehut për qytetarët shqiptarë, ato që përfaqësojnë, grishin dhe ftojnë opozitën shqiptare. Thasët e plehut përfaqësojnë mafien, mafien dhe vetëm mafien. Besoj se këtë e ka të qartë çdo qytetar i këtij vendi. Ndaj, duke dashur vendosmërisht të ndajmë axhendën e integrimit dhe të lëvizjes së lirë bashkërisht me opozitën, edhe njëherë e ftoj atë që të marrë funksionet e veta”, - është shprehur kreu i qeverisë.
Topalli: “Shqipëria është në një kohë të re, me sfida të reja”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mbajti dje një fjalim në hapje të Konferencën Rajonale “Forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë për një anëtarësim të shpejtë të Europës Juglindore në BE”. Kryetarja Topalli, në fjalën e saj, theksoi qëllimin e kësaj konference për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë midis vendeve tona. “Ky takim në Shqipëri bëhet në një vend të NATO-s drejt së cilës aspirojnë edhe vendet e tjera. Tetë muaj më parë, Shqipëria e Kroacia u bashkuan në NATO dhe, për ne shqiptarët, anëtarësimi në NATO ishte një ditë epokale. Që prej prillit 2009 ne ulemi në karrige të barabartë me vendet që janë krenare për demokracinë e tyre. Shpreh kënaqësinë që më 4 dhjetor ministrat e NATO-s ftuan edhe Malin e Zi”, - është shprehur Topalli, ndërsa ka theksuar se objektiv parësor i Shqipërisë tani është integrimi në BE.
“Shqipëria ka kapur një tjetër stacion të rëndësishëm. Më 16 nëntor 2009, Bashkimi Europian e pranoi kërkesën tonë për statusin e vendit kandidat. Kjo ishte po aq e rëndësishme sa ishte ftesa për në NATO. Ne do të vazhdojmë t’i bëjmë betejë çdo interesi kriminal apo mafioz të veshur apo jo me kostum zyrtari, për t’u shpërblyer me BE-në”, - është shprehur kryetarja e Kuvendit.
Berisha: “Lufta kundër krimit të organizuar, prioritet i qeverisë”
Kryeministri Berisha përshëndeti dje punimet e Konferencës Rajonale me temë “Forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë për një anëtarësim të shpejtë të Europës Juglindore në BE”. Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Berisha u shpreh se lufta kundër krimit dhe organizatave kriminale ka qenë dhe vazhdon të jetë përparësi madhore për qeverinë, ndaj dhe pas ardhjes në pushtet, në vitin 2005, qeveria i shpalli atyre luftë me zero tolerancë. “Lufta jonë me zero tolerancë kundër bandave, disa prej të cilave më të rrezikshmen në Ballkan dhe më gjerë, dëshmoi se në prani të vullnetit të hekurt politik, në asnjë rast dhe në asnjë rrethane, ato nuk mund t’i rezistojnë ligjit”, - u shpreh Berisha.
Gjithashtu, kryeministri vlerësoi se çështja e sigurisë nuk kërkon zgjidhje vetëm në plan kombëtar, por duhen zgjidhje edhe në plan rajonal. Për këtë arsye kërkohet përkushtim dhe angazhim i madh e i vazhdueshëm rajonal dhe ndërkombëtar, në mënyrë që kjo çështje të marrë përgjigjen më të mirë dhe të garantojë sigurinë më të lartë. Më tej Berisha u shpreh se në Shqipëri u shemb muri i krimit të organizuar, por sërish ka probleme serioze me mafien. Duke iu referuar bashkëpunimit rajonal, kryeministri u shpreh se duhet të kemi edhe ligje të njëjta kundër mafies, në mënyrë që mafiozët e goditur në Itali të mos mund të bëjnë transferta të pasurive të tyre në Shqipëri apo në vende të tjera.
8 Dhjetor 2009