E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fadromat e Berishës shembim pallatin e hipotekuar



TIRANË – Vetëm pak ditë pas akuzave të kryeministrit Berisha ndaj disa biznesmenëve, nis hakmarrja. Fadromat e Inspektoratit Kombëtar Ndërtimor i janë drejtuar sot një pallati 12-katësh në qendër të Tiranës. Objekti është në pronësi të Ilir Matës, i cili, sipas qeverisë, është ndërtuar pa leje, duke bllokuar qarkullimin në zonën që ndodhet fare pranë bulevardit “Zogu I” në kryeqytet. Por, vetë pronari i ndërtesës thotë se ajo është hipotekuar nga institucionet që janë në varësi të zotit Berisha.
Ndërtimorët arritën të prishnin gjatë pasdites së djeshme tri katet e para, ndërkohë që shembja e pallatit rrezikon ndërtesat përreth. Në momentin e realizimit të operacionit, në vendngjarje shkuan disa deputetë të opozitës dhe përfaqësues të OSBE-së në Tiranë.
Aksioni
Me dhjetëra mjete të Inspektoratit Kombëtar Ndërtimor kanë nisur dje pasdite operacionin për shembjen e një pallati, i cili thuhet se është në pronësinë e kunatit të deputetit socialist, Dashamir Peza. Pa asnjë paralajmërim, mjetet e Inspektoratit kanë nisur prishjet e tri kateve të para. I vetmi shpjegim që është thënë nga drejtuesit e operacionit është se pallati është ndërtuar pa leje dhe pengon kalimin e banorëve që jetojnë në pallatet e tjera pas tij, ndërsa ka zëra se do të ndërhyhet vetëm në katet e para për të zhbllokuar rrugën. Për momentin nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga ana e autoriteteve përkatëse, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur përfaqësues të OSBE-së dhe deputetë të Partisë Socialiste. Në vendin e ngjarjes janë grumbulluar forca të shumta policie, ndërkohë që mbrëmë, rreth orës 19:00 është ndërprerë ndërhyrja, por objekti është i rrethuar nga kordonë policie dhe mjete të Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit. Vetë pronari Ilir Mata është shprehur se pallati ka leje konform ligjit dhe është i regjistruar konform rregullave në Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
Akuzat
Gjithçka nisi vetëm pak ditë më parë. Kryeministri Berisha deklaroi se “Ilir Mata ka, me firmën e Edi Ramës, 21 350 metra katrorë leje ndërtimi. Në një vendim, 11 mijë metra katrorë, në tjetrën 9700, e tenderë të tjerë. Të gjitha janë në dhunim të pronave e ligjeve”. Kësaj akuze dhe akuzave ndaj disa biznesmenëve të tjerë iu përgjigj Edi Rama, i cili tha se të gjitha lejet janë miratuar nga KRRT-ja, dhe jo nga kryetari i Bashkisë. Rama u sugjeroi biznesmenëve që t’i drejtohen gjykatës për shpifjet e kryeministrit.
Prej disa kohësh zoti Berisha ka shënjestruar disa biznese, duke iu sekuestruar pasuritë dhe ndërprerë kontratat. Në fillim, qeveria bllokoi dhe shpronësoi tokën në qendër të Tiranës, e cila ishte në pronësi të familjes Kika dhe të Komunitetit Mysliman. Në mënyrë të njëanshme ajo e shtetëzoi tokën, duke mos lejuar që investitori të realizojë projektin, për të cilin kishte marrë leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës dhe Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit. Më pas qeveria nxori disa dokumente, duke pretenduar për shitje abuzive nga Bashkia të tokës në zonën e kompleksit “Tajvani”. Tani fadromat kanë shkuar në ndërtesën që ndodhet pas Hotel Tirana International, e cila rezulton të jetë në pronësinë e Ilir Matës, kunati i deputetit të PS-së, Dashamir Peza. Një situatë e tillë ka tensionuar marrëdhëniet e qeverisë me komunitetin e biznesit.

REAGIMI
Shalsi: “Godina, e hipotekuar në zyrat e Berishës”

TIRANË - Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, ka reaguar pas ndërhyrjes së Inspektoratit të Lartë të Ndërtimit në pallatin në pronësi të kunatit të deputetit Dashamir Peza. Ndërsa theksoi se godina është ndërtuar konform ligjeve, me leje të rregullt ndërtimi, Shalsi theksoi se pallati 12-katësh është hipotekuar në zyrat e kryeministrit Berisha. “Jemi dëshmitarë të një tjetër akti banditesk të kryeministrit që ka marrë përsipër të luftojë mafien duke u sjellë si mafioz i vërtetë. Këtu nuk kemi të bëjmë me një procedim normal ligjor, por me një shantazh dhe dhunë fizike e psikologjike. Pallati është i hipotekuar, ju ftoj te vërtetoni ligjshmërinë”, - theksoi Shalsi, ndërsa nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse pallati bllokon rrugën për banorët e lagjes pas ndërtesës.
Deputeti socialist akuzoi kryeministrin Berisha se po derdh mllefin kundër biznesit dhe sipërmarrjes së lirë. “Jemi të vendosur për të mos e lejuar këtë njeri të sillet kështu në këtë vend, të cenojë biznesin e sipërmarrjen e lirë siç dëshiron. Ai nuk po lufton mafien, por po sillet si mafioz i vërtetë”, - u shpreh Shalsi.

Lufta e shpallur e Berishës për biznesmenët pranë opozitës

Gjatë një seance në Parlament, kryeministri Berisha akuzoi zotin Rama dhe disa nga deputetët –sipërmarrës, por edhe disa biznesmenë, si pjesë e një klani punisto-mafioz. Më pas, në një konferencë për shtyp, ai nxori dokumente, duke pretenduar se kryetari i Bashkisë së Tiranës ka dhënë leje në kundërshtim me ligjin për persona, si: Ilir Mata, Nard Ndoka, Tom Doshi, Sadri Abazi, Fidel Ylli, Arian Leskaj, Besnik Sula etj. Në lidhje me të gjitha këto akuza reagoi kryebashkiaku Rama, njëherësh kryetar i PS-së. Ai u shpreh se kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk jep leje. Sipas tij, lejet jepen nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës, i cili ka katër anëtarë të zgjedhur nga maxhoranca, katër të zgjedhur nga opozita dhe një anëtar të nëntë, të zgjedhur me konsensus. Madje, Rama shtoi se pjesa dërrmuese e lejeve të ndërtimit janë dhënë me votat e shumicës dërrmuese të anëtarëve të KRRT-së, përfshirë edhe anëtarët e PD-së. Po ashtu, në njërën prej daljeve publike, Rama u sugjeroi biznesmenëve të akuzuar nga Berisha që t’i drejtohen gjykatës.
Tashmë qeveria ka vënë në shënjestër të gjitha investimet e bëra nga biznese që drejtohen nga deputetë që kanë qenë sipërmarrës, ose ata që kanë mbështetur PS-në.

EMRAT E PERSONAVE TË AKUZUAR NGA BERISHA

Ilir Mata
Nard Ndoka
Koço Kokëdhima
Tom Doshi
Fidel Ylli
Besnik Sula
Sadri Abazi
Arian Leskaj
Artan Dulaku

8 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›