E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesit: Deklaratat e Berishës po na rrënojnë bizneset, nuk jemi mafiozë



TIRANË - Shoqata e Ndërtuesve ka reaguar dje pas deklaratave dhe akuzave të fundit të kryeministrit, që i ka cilësuar ndërtuesit më të mëdhenj në vend si mafiozë. "Ne jemi një bashkim vullnetar që s'kemi lidhje me mafien", - thotë shoqata në një reagim për mediat, duke sqaruar se është pro luftës pa kompromis ndaj mafies, korrupsionit dhe çdo veprimi tjetër të paligjshëm. Sipas ndërtuesve, deklaratat e kryeministrit janë spekulative dhe me përfitim politik, që bien ndesh me punën e ndershme të firmave private. "Pozicionohemi në mbrojtje të lejeve të ndërtimit, si i vetmi dokument i patjetërsueshëm që do të duhet të ketë ndërtuesi për të legjitimuar ndërtimin e tij", - shprehet Shoqata e Ndërtuesve. Ata i kujtojnë qeverisë dhe kujtdo tjetër që mund të ketë dyshime, le t'i drejtohen Prokurorisë, pasi janë të bindur se gjykatat tona janë në gjendje të penalizojnë veprimet e paligjshme. Më tej ndërtuesit i bëjnë thirrje Berishës të ndalë sulmet, pasi në këtë kohë krize për likuiditete, bizneset po dëmtohen edhe nga masat e padrejta të pushtetit qendror. Sipas tyre, situata në sektorin e ndërtimit mbetet problematike, si pasojë e mungesës së likuiditetit, por edhe borxheve që shteti u ka. "Pavarësisht faktit se Drejtoria e Rrugëve ka disbursuar një pjesë të borxheve që na detyrohet, sërish situata e firmave të ndërtimit është problematike", - thonë ata.

8 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›