E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia në Gjykatë, Fëmija-punëtor në fabrikën e Gërdecit: Puna ime çdo ditë mes barutit dhe djegoreve



Laureta Rryçi

Vasil Laçi, 17-vjeçari nga Kavaja, qëndroi dje në pritje për më shumë se shtatë orë në korridorin e katit të parë të Gjykatës së Tiranës. Në dorë mbante fletë-thirrjen e Gjykatës si dëshmitar në procesin e Gërdecit, ndërsa herë pas here humbiste në mendime për ngjarjen e 15 marsit të vitit 2008. Kur ora shënoi 15:00, ai u thirr nga Gjykata e Tiranës si dëshmitar i radhës për të treguar atë që dinte. Me dëshminë e tij i mituri u dha fund dilemave nëse në fabrikë ishin të punësuar fëmijë dhe gra. Ai është shembulli i gjallë, fëmijë – punëtor që kishte arritur t’i mbijetonte shpërthimit, ndërsa, për fat të keq, shembull tragjik kishte të ëmën, Naile Laçin, e cila nga ajo tragjedi nuk ia kishte dalë dot. Gjithashtu djali rrëfeu mënyrën se si ishin punësuar ai, nëna dhe babai i tij, kushtet e punës dhe përgjegjshmëria që kishte çdo ditë për të realizuar normën. Në të shumtën e ditëve, edhe pse vetëm 15 vjeç, ai tregon se i siguronte familjes së tij një shumë prej 2 mijë lekësh. Gazeta “Albania” siguroi një intervistë me fëmijën e parë dëshmitar që punonte në fabrikën e demontimit dhe e sjell atë në numrin e sotëm.

Sa vjeç jeni?
Jam 17 vjeç.
Sot përse po prisni në Gjykatën e Tiranës?
Jam Vasil Laçi, banoj në Kavajë dhe kam ardhur në Gjykatën e Tiranës sepse jam thirrur si dëshmitar në procesin për tragjedinë e Gërdecit.
Çfarë ju lidh me tragjedinë?
Dy vjet më parë, kur unë isha vetëm 15 vjeç, vjen daja (vëllai i mamit) në shtëpi dhe na thotë se në Gërdec po hapet një fabrikë demontimi dhe kërkojnë punëtorë. Për t’u punësuar nuk kishte përjashtime nëse ishe fëmijë ose grua, pavarësish se do të merreshim me demontimin e municioneve. Edhe pse larg shtëpisë ku jetonim për shkak të problemeve të mëdha ekonomike, vendosëm të jetonim ca kohë te dajat dhe u punuam tre anëtarë prej familjes sonë. Pra unë, babai Mustafa Laçi dhe nëna ime që nuk arriti të mbijetonte nga shpërthimi, Naile Laçi.
Më kë keni biseduar ju për t’u punësuar në fabrikën e demontimit?
Daja im, Shkëlqim Sefa, ishte një nga punëtorët e parë të punësuar nga “Albademil”. Ai hyri ndërmjetës që të ishim dhe ne për shkak se ata i kërkonin grupe pune me katër veta. Kemi biseduar fillim me drejtorin, Dritan Minxolli, dhe ramë dakord që do të paguheshim në varësi të normës, pavarësish moshës që kishim apo eksperiencës. Ne kemi marrë pjesë edhe në procesin e fishekëve, edhe në demontimin e predhave.
Si mësuat ju të demontonit municione kur ishit vetëm 15 vjeç?
Mosha për t’u punësuar në atë fabrikë nuk ishte fare problem. Atje kishte të punësuar edhe fëmijë të tjerë. Mbaj mend që më i vogli ishte 13 vjeç. Procesi i fishekëve ishte më i thjeshtë, ndërsa ai i predhave ishte shumë i vështirë. Në fillim, kur nisëm punën, jo unë që nuk ia kisha idenë se si demontohej, por edhe nëna ime dhe babai e kishin për herë të parë këtë lloj pune. Neve halli na detyroi të shkonim të punonim në atë fabrikë. Prindërit e mi nuk kishin arsim të lartë, gjithmonë punë krahu kanë bërë.
A ju kanë bërë instruktazh drejtuesit e fabrikës për procesin e demontimit?
Mbaj mend që vetëm ditën e parë na treguan se si bëhej heqja e djegores. Ditët e tjera vetëm na numëronin në mëngjes kur bëhej apeli dhe më pas, gjatë ditës, mund të dëgjonim të bërtitura ndaj grave dhe fëmijëve, në mënyrë që të punonin sa më shumë, por askush nuk u kujtua të na bënte instruktazh për demontimin.
Me çfarë veglash punonit?
Veglat e punës ishin si mos më keq. Unë punoja te karrocat, duke bërë transportin e barutit. Ndërsa babai punonte me levë, duke hequr djegoret te predhat. Karrocat, në të shumtën e rasteve, ishin të prishura si mos më keq. Nuk kishim ndonjë vegël tjetër më të mirë që mund ta jepte më shumë siguri për jetën.
Sa arrije ti të merrje në një ditë? E realizoje dot normën?
Varet, ishte me ditë. Por, përgjithësisht, e realizoja sepse atje kishim vajtur të punonim dhe nuk ia lejonim dot vetes të pushonim. Pjesën më të madhe të ditëve kam arritur më marr 2 mijë lekë në ditë. Rroga na jepej një herë në muaj.
E mban mend ditën e ngjarjes se ku ishe kur filluan shpërthimet?
E mbaj mend shumë mirë. Nuk kam si ta harroj jo sot që kanë kaluar vetëm dy vite, por besoj se nuk do ta harroj kurrë. Më kujtohet se drejtuesit kishin dhënë urdhër që baruti i përfituar nga demontimi të paketohej, se do të transportohej më pas nga makinat e ushtrisë drejt Shkozetit. Puna atë ditë ishte njësoj si herët e tjera, gjithmonë punohej me grupe. Unë isha te pjesa e paketimit të barutit bashkë me babin. Nëna ishte pak më tutje, edhe ajo po merrej me transportin me karroca të barutit. Kur ka qenë ora e drekës, rreth orës 12:00, kam dëgjuar të bërtitura punëtorësh që thërrisnin: “Ikni me vrap se ka rënë zjarr!”. Bashkë me babin e kuptuam se diçka e keqe po ndodhte dhe vetëm kemi kthyer kurrizin për të ikur me vrap nga ambienti i fabrikës. Mbaj mend se pa kaluar shumë sekonda, një valë e nxehtë na ka kaluar mbi kurriz duke na ulur përtokë dhe ne morëm plagë djegiesh shumë të rënda në të gjithë kurrizin. Rrobat na u ishin djegur, kurrizi bashkë me to, deri në pjesën e qafës. Mbaj mend që babai më tha të ngriheshim dhe vetëm të ecnim në drejtim rrugës, pa e kthyer kokën. Rrugës më kujtohet se kishte shumë njerëz të tjerë të djegur që vraponin për t’u shpëtuar shpërthimeve. Më pas, kur kemi dalë në rrugë, di që na ka marrë makina dhe na ka sjellë në spital. Për shkak të djegieve më kanë dërguar në Spitalin e Brindizit, ku kam marrë dhe kurimet e duhura.

Mustafa Laçi: “Nga roje objektesh, fillova demontimin e municioneve”

Mustafa Laçi ishte një nga dëshmitarët që tregoi dje në sallën e gjyqit mbi mënyrën se si ishin përzgjedhur nga shoqëria “Albademil” për t’u punësuar në fabrikën e demontimit. Sipas dëshmisë së tij, ai ishte dhëndër në Gërdec dhe kishte qenë vëllai i gruas që ishte bërë sebep për t’u punësuar në atë fabrikë. “Kemi bërë bërë një intervistë të shkurtër me Dritan Minxollin. I thamë që duam të punojmë. Na tregoi se puna ishte me normë dhe pagën do ta merrnim në fund të muajit. Unë isha me djalin dhe gruan, dhe u punësuam që të tre, edhe pse s’kishim pasur të bënim nnjëherë me armët”, - tregoi dëshmitari. Mustafa Laçi, i pyetur nga njëri prej prokurorëve të dosjes, shpjegoi se më parë kishte punuar roje objektesh. Ditën kur nisën punë në fabrikë, atëherë mësoi se si demontoheshin fishekët apo predhat.

Shkëlqim Sefa: “Në fabrikë mungonin kushtet e sigurisë”

Shkëlqim Sefa ishte një nga punëtorët e parë të mbledhur nga kompania rivate “Albademil”. Ai tregoi dje në sallën e gjyqit se fillimisht me demontimin ishte marrë në një zonë afër Aeroportit të Rinasit dhe më pas kishin kaluar në Gërdec. Sefa tregoi se mbante mend kur në fabrikë vinte Mihal Delijorgji dhe Patrik Henri. Sipas tij, më shpesh shikonin drejtorin, Dritan Minxollin. “Ne punonim në kushte që vetëm siguri jete nuk të jepnin. Karrocat ishin pothuajse të gjitha të prishura”, - tregon Sefa, duke shpjeguar me detaje mbi kushtet e punës. Sefa mban dhe pengun për humbjen e së motrës, pasi ka qenë ai që e ka shtyrë familjen e saj të punësohej atje.

8 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›