E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, prefektëve: Po vidhen titujt e pronësisë

Kryeministri Sali Berisha paralajmëron prefektët që në procesin e verifikimit të titujve të pronësisë të ruajnë paanësinë, pasi sipas tij, do të përballen me presionin e ish-qeveritarëve dhe qeveritarëve aktualë, të cilët janë të përfshirë në mashtrimet që janë bërë me çështjen e pronave. "Detyra juaj ka vetëm një sekret, paanësinë. Do t'ju bjerë të përballeni me presione nga më të ndryshmet. Suksesi juaj është i garantuar vetëm nëse do të qëndroni të paanshëm në këtë proces", - u shpreh Berisha. Kryeministri akuzoi dje opozitën për kundërshtimin që i bëri ligjit për titujt e pronësisë, të cilët sipas tij, e majta kur ishte në pushtet i përdori për interesa klanore. Sipas Berishës, ligji i miratuar është shumë i mirë dhe i jep fund kaosit të shkaktuar nga PS-ja kur ishte në pushtet. Ai kërkoi paanësi nga prefektët për titujt e pronësisë dhe një transparencë të plotë. Z. Berisha në takimin e djeshëm me prefektët e vendit ka deklaruar se falsifikimet me pronat janë bërë nga njerëz të veshur me pushtet. Njëherësh kreu i qeverisë u bëri thirrje prefektëve në të gjithë vendin që kjo çështje të zgjidhet njëherë e mirë. Para tyre Kryeministri Berisha pranoi se abuzimet me titujt e pronësisë janë bërë nga njerëz në pushtet të të gjitha niveleve. Z. Berisha evidentoi vështirësitë e këtij procesi, duke thënë se qeveria ka trashëguar një numër shumë të madh falsifikimesh të titujve të pronësisë, madje ai i krahasoi ato me malin e Dajtit. Kryeministri akuzoi për falsifikime të titujve të pronësisë njerëz të pushtetit të të gjitha niveleve, të cilët, sipas tij, kanë përdorur pronën për t’u pasuruar për nevojat e tyre personale. Një tjetër problem janë edhe titujt e pronësisë të trashëguar nga periudha e komunizmit. Sipas Kryeministrit, titujt e pronësisë nga kjo periudhë vijnë me shumë pak të dhëna. 12 prefektët do të drejtojnë komisionet që do ngrihen në lidhje me procesin e dhënies së titujve të pronësisë në mbarë vendin. Procesi pritet të fillojë këto ditë dhe të përfundojë pas tre vitesh, në 2011-n. Kryeministri u kërkoi prefektëve që si parim të punës së tyre të kenë transparencën dhe paanshmërinë në dhënien e vendimeve për titujt e pronësisë.

Ligji për titujt e pronësisë u miratua pak ditë më parë nga Kuvendi i Shqipërisë me votat e maxhorancës. Zëvendëskryeministri Genc Pollo do të jetë në krye të këtij procesi, ku do të kryesojë procesin e dhënies së titujve të pronësisë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›