Tiranë; Trafiku me gomone i 40 klandestinëve, burg Hajdinit
Gjykata e Krimeve të Rënda ka vlerësuar dje masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj 42-vjeçarit të akuzuar për trafikun e 40 klandestinëve me gomone drejt Italisë, më 11 janar të këtij viti. Dilaver Hajdini është njohur dje me akuzën që rëndon mbi të, si dhe me masën e sigurisë të vendosur në mungesë nga ana e gjykatës disa ditë më parë. 42-vjeçari nuk ka pranuar të japë shpjegime para gjykatës, ndërsa mbrojtja e tij ka kërkuar një masë sigurie më të butë sesa ajo e vendosur nga ana e gjykatës në mungesë. Ndërsa gjykata ka lënë në fuqi masën e sigurisë të vendosur në mungesë në ngarkim të 42-vjeçarit Hajdini. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i pandehuri në bashkëpunim edhe me shtetasit Paulin Markaj, 42 vjeç, Ardian Gjeloshi, 36 vjeç, Pjetër Tusha, 47 vjeç, Altin Gjeloshi, 23 vjeç, dhe Ndrek Preçi, 45 vjeç, kanë tentuar të trafikojnë nga plazhi i Lezhës kundrejt pagesës 3.500 euro, 40 persona në drejtim të Italisë. Sipas hetimeve të kryera nga prokuroria, organizatorët kanë bërë grumbullimin e klandestinëve rreth orës 18:50 të 11 janarit të këtij viti, kurse nisja drejt Italisë është kryer rreth orës 23:00 po të asaj mbrëmjeje. Klandestinët janë hedhur në brigjet e Tales, ndërsa gomonia është kthyer mbrapsht. Blutë në sajë të operacionit të koduar “Rrjeta e hekurt” arritën të vënë në pranga pesë prej të dyshuarve si organizatorë të këtij trafiku të klandestinëve, ndërsa i pandehuri Dilaver Hajdini kishte arritur t’iu shpëtonte prangave. Ndaj tij, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte vendosur një masë sigurie në mungesë. Prokuroria disponon në cilësinë e pronave materiale gomone me dy motorë, me nga 500 kuaj fuqi, 11 metra e gjatë, me ngjyrë të bardhë, nëntë celularë, 48 bidonë, gjashtë prej tyre janë përdorur për mbushjen me karburant të mjetit lundrues. Po ashtu gjatë kështu janë bllokuar 7 automjete, të cilat janë përdorur nga të dyshuarit si trafikantë dhe 2 mijë euro.