E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Rama dhe Veliaj të kërkojnë falje për vdekjen e Trebickës

Partia Demokratike ka reaguar pas raportit të ekspertit amerikan mbi vdekjen e biznesmenit Kosta Tebicka, nga ku ka akuzuar Edi Ramën dhe Erion Veliajn se tentuan të përfitojnë politikisht me vdekjen e biznesmenit. Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, gjatë një konference për shtyp, akuzoi drejtuesin e PS-së dhe drejtuesin e G99-ës për deklaratat e tyre publike si dhe kërkoi nga ana e tyre që të shprehin falje. “PD-ja i kërkon këtij koalicioni ogurzi që nëse i ka mbetur edhe një grimcë e fundit e moralit njerëzor, t'i kërkojë falje publike qoftë edhe private, familjes së të ndjerit Kosta Trebicka, t'i kërkojë të falur publikisht, sepse e vranë për së vdekuri për qëllime të ulëta politike, duke manipuluar dhe të vërtetën e tij të fundit”, - tha Bogdani. Zëdhënësi i PD-së më tej tha se heshtja e Ramës dhe Veliajt nënkupton se filozofia e dy drejtuesve politikë, sipas Bogdanit, është: "Rroftë vdekja dhe poshtë qeveria". “Ajo që të bën përshtypje është se ata, që me koalicionin ogurzi "Rroftë vdekja dhe poshtë qeveria", e vranë për së vdekuri z. Kosta Trebicka, duke bërë çdo gjë për të shfrytëzuar aksidentin e tij fatal për qëllime politike, ndërsa tani heshtin si fija e barit", - shtoi më tej Bogdani. Gjatë deklaratës për shtyp, Bogdani theksoi se eksperti amerikan solli një ekspertizë të pavarur, e cila ishte e njëjtë me ekspertizën e ekspertëve shqiptarë. “Këto ditë, eksperti amerikan, Kevin Teter, solli ekspertizën e tij, në të cilën prodhon në përputhje me të gjitha ekspertizat e specialistëve shqiptarë se Kosta Trebicka vdiq nga një aksident automobistik”, - deklaroi zëdhënësi i PD-së. Partia Demokratike e ka cilësuar si antinjerëzor reagimin e kreut të PS-së, që sipas Bogdanit, lëshoi akuza të rënda vetëm pak orë pas ndjekjes të së ndjerit Trebicka. Reagimi i Partisë Demokratike erdhi në një moment kur prej disa javësh opozita po akuzonte qeverisë për vdekjen e biznesmenit Trebicka. Sipas opozitës, biznesmeni duhet të ishte mbrojtur nga shteti për shkak se ishte dëshmitar kyç në tragjedinë e Gërdecit. Qeveria është kundërpërgjigjur se mbrojtja e dëshmitarëve kërkohet nga prokuroria dhe më pas vihet në zbatim nga programi i “Mbrojtjes së dëshmitarëve” në Ministrinë e Brendshme. Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, eksperti amerikan Kevin Teter dërgoi me postë në Prokurorinë e Përgjithshme konkluzionet e nxjerra prej tij për ngjarjen. Ai shkruante në raportin e tij se vdekja e Trebickës kishte ardhur si rezultat i një aksidenti me makinë. “Mjeti ka bërë një kthesë të fortë dhe më pas është batuar në anën e djathtë. Për pasojë, makina ka rënë, duke zënë poshtë viktimën, i cili ka mbetur i vdekur në vend. Automjeti i përfshirë në këtë ngjarje, si dhe shoferi, po udhëtonin në rrugë në drejtim të veriut. Duke dalë nga një kthesë, shoferi ka bërë një kthesë të fortë në të majtë, e cila bëri që pesha e automjetit të kalonte menjëherë në krahun e djathtë të përparmë. Si rezultat i këtij manovrimi të menjëhershëm dhe kalimit të peshës, automjeti u rrotullua në krahun e djathtë, duke thyer xhamin e derës së pasagjerit dhe duke hedhur shoferin në tokë nga zona e hapur e tavanit”, - theksonte në raportin e tij dërguar autoriteteve shqiptare, eksperti nga SHBA-ja, Kevin Teter.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›