E Shtunë, 31 Tetor 2026

I kërkuari për vrasje, vetëflijohet pasi ekzekutoi gruan (Update)

Lezhë, 7 tetor 00:06 NOA (Update) – Gruaja që gjeti vdekjen sonte në mbrëmje në banesën e saj në Dajë të rrethit Lezhë, është Çile Pjetri, 74 vjeçare dhe autor i dyshuar i krimit është bashkëshorti i saj 81-vjeçar, Rrok Pjetri i cili po ashtu humbi jetën.

Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA shkoi në vendngjarje, nga ku raporton se autori i dyshuar i vrasjes, Rrok Pjetri, lindur e banues në fshatin Dajç të rrethit Lezhë, vrau veten, pasi i bëri rezistencë policisë.

Një grup forcash speciale ishte instaluar në banesën e Rrok Pjetrit në Dajç, kurse një grup agjentësh gjendeshin prej mbrëmjes atje, pasi ishin informuar se 81-vjeçari gjendej në shtëpi, një vit e gjysmë pasi ishte shpallur në kërkim për vrasje.

Nën rrethim policor, dyshohet se 81-vjeçari ka kryer vrasjen e radhës, sonte në mbrëmje, duke i marrë jetën të shoqes, në rrethana dhe shkaqe që ende janë të paqarta.

Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA gjendej pranë vendngjarjes deri në mesnatë (00.05, 7 tetor). Ai raporton se forcat RENEA, ndodhen në një rreth që kanë krijuar në afërsi të banesës së të dyshuarit, në përpjekje për ta arrestuar.

Mësohet se i dyshuari i armatosur me automatik, kishte në banesë dhe disa pjesëtarë të tjerë që dyshohej se i mbante peng.

Por plaku i armatosur i ka dhënë fund telasheve me policinë, duke gjetur një zgjidhje jo pak të njohur, ka vrarë veten me të njëjtën armë që një orë më parë i mori jetën gruas dhe e njëjta armë që dyshohet se një vit e gjysmë më parë i mori jetën fqinjit.

Me konfirmimin e vetëflijimit, trupat e RENA-s i janë larguar vendit të ngjarjes dhe policia ka nisur të kryejë veprimet procedurale rutinore.

Vrasja e prillit 2007

Më 20 prill të vitit të kaluar, plaku atëherë 80 vjeçar, pati një konflikt të vjetër për 10 metra hapësirë toke, ku kalon një rrugicë.

Për shkak të sherrit mbi pronësinë, ai iu vërsul fqinjit të tij 55 vjeçar Lazër Nikolli, duke i marrë jetën me një automatik.

Viktima ndodhej afër shtëpisë së tij, pranë kasolles se bagëtive, kur është thërritur nga autori. Duke ndjerë rrezikun, pas njohjes së zërit, Nikolli ka tentuar të futet në banesë, por i moshuari, që kishte armën gati, e ka shkrehur mbi trupin e 55-vjeçarit, i cili mbeti i vdekur ne vend.

Menjëherë pas krimit, Rrok Pjetri u largua për në drejtim të paditur. Policia tha se arratia e Pjetrit u bë duke përfituar nga errësira kur ai është larguar nga vendngjarja.

Nga dëshmitë e mbledhura është mësuar se dy familjet kishin përplasje për një copë toke, ku kalonte rrugica e fshatit. Pas fyerjeve të ndërsjella situata ka degjeneruar deri në gjakderdhje.

b.a/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›