E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha premton investime të reja në arsim dhe vepra publike

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e shkollës 9-vjeçare në fshatin Pretushë, në rrethin e Pogradecit, nga ku premtoi investime të reja në arsim dhe në vepra publike. Sipas tij, lufta ndaj korrupsionit ka qenë “leva e Arkimedit”, që bëri të mundur gjetjen e fondeve për ndërtimin e shkollave të reja, rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe ndërtimin e shumë veprave publike në infrastrukturë. Ai tha më tej se investimet në mandatin e parë kanë bërë të mundur hapjen e rrugës për investime të tjera në mandatin e dytë, në rast se qytetarët mandatojnë përsëri mazhorancën aktuale. “Arsimi ka qenë dhe mbetet një përparësi madhore. Prandaj, ne jemi të vendosur të vazhdojmë të luftojmë korrupsionin, sepse ajo është “leva e Arkimedit” e buxheteve tona të mëdha, lufta kundër korrupsionit, është ajo që bëri të mundur që ne të investojmë në rrugët e këtij vendi 180 miliardë lekë, kundrejt vetëm 26 miliardë që janë investuar në 4 vjet nga qeveria e mëparshme. Është lufta kundër korrupsionit ajo që bëri të dyfishojmë rrogat e 44 mijë arsimtarëve, 12 mijë infermierëve, 4 mijë mjekëve, të dyfishojmë pensionet, në maj të vitit që vjen, për 170 mijë pensionistë në fshat. Unë ju garantoj se investimet e këtij 4-vjeçari janë vetëm bazamenti i investimeve shumë herë më të mëdha për 4-vjeçarin që po vjen, në rast se ju votëbesoni këtë qeveri”, - deklaroi Berisha nga fshati Pretushë i Pogradecit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›