Gratë në politikë, në dyshim 30-përqindëshi
Një gjë është e sigurt, që në Parlamentin e ri pas zgjedhjeve të vitit 2009 do të ketë më shumë gra, por një tjetër gjë do të jetë përsëri e sigurt, që në Parlamentin e ardhshëm nuk do të jenë 30 për qind gra, siç u premtua. Një gjë të tillë e konfirmojnë ekspertët ligjorë. Sipas Oerd Bylykbashit, një nga ekspertët e hartimit të Kodit të Ri Zgjedhor, “formula e re në kod përcakton vetëm kandidimin dhe jo shifrën direkte 30 për qind”. Në nenin 67 të Kodit Zgjedhor, që kaloi në Kuvend me 112 vota pro, në pikën 5 të tij përcaktohet formula detyruese për përqindjen e futjes së grave në Kuvend. Retorika politike premtoi 30 për qind gra në Kuvend, por hapësira ligjore bën që kjo shifër mund të mos respektohet. Pikërisht neni 67 në pikën 5 të tij thotë shprehimisht se: “Për çdo zonë zgjedhore të paktën 30 për qind e listës shumëemërore ose një në tri emrat e parë të listës shumëemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, një në çdo tri emra në listë duhet t’i përkasë secilës gjini”. Ligji përcakton dy forma, të cilat përjashtojnë njëra-tjetrën, por që në fakt asnjëra prej tyre nuk garanton 30 për qind gra në Kuvend. Forma e parë parashikon që 30 për qind e listës së mbyllur të partisë të jenë femra, por nuk përcakton pozicionin e tyre. Fare mirë një parti mund t’i vendosë të gjitha femrat nga fundi i listës, ku humbja do të ishte e garantuar për to. Forma e dytë, që përcakton neni, është që në tri emrat e parë të jetë një femër. Kjo do të thotë që në rast se njëra nga partitë e mëdha zgjedh këtë formë, një femër do të jetë e garantuar në Kuvend, pro vetëm kaq. Forma e dytë thotë që duhet thjesht një femër në tri vetët e parë, por nuk përcakton detyrim tjetër. Me formën e dytë, thjesht fut vetëm një femër në Kuvend. Sipas Bylykbashit, kjo mënyrë u huazua nga legjislacionet më të mira evropiane për zgjedhjet, por që mbetet në dorën e partive në rast se do të ketë 30 për qind gra në Kuvend, më pas ose më shumë. Ai theksoi se formula aktuale do të rrisë ndjeshëm prezencën e grave në Kuvend. Gjithsesi, shifra e grave në Kuvend do të varet nga vullneti politik, konkurrenca dhe jo ligji. Sipas ekspertëve, sikur të dyja partitë e mëdha të zgjedhin rrugën e dytë për mënyrën e kandidimit, pra që të vendosin në tri emrat e parë një femër, atëherë llogaritjet e para nxjerrin se në Kuvend do të kishte të paktën 24 gra, nga 9 që janë sot. Si forma e parë e ligjit, ashtu edhe ajo e dytë, lënë një hapësirë të qartë që kuota 30 për qind e propaganduar mund të anashkalohet fare qartë. Por pavarësisht kësaj, cilado formë që të zgjedhin partitë, në Kuvendin e ardhshme do të ketë më shumë se 9 gra, nga sa ka sot Kuvendi, në 140 deputetë që ka legjislatura. Nga ana tjetër, strategjia kombëtare e barazisë gjinore vendos theksin tek 50-përqindëshi i pjesëmarrjes të çdo seksi në vendimmarrje publike, por kjo duket se është e largët për zbatim. Kodi Zgjedhor parashikon që në rast se partitë nuk zgjedhin njërën nga këto dy forma për të respektuar këtë ligj, atëherë penalizmi do të jetë vetëm 1 milion lekë të vjetra.