E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha premton ndryshime në qeveri pas samitit të NATO-s

Lëvizjet mbas 4 prillit. Gërdeci, përgjegjësi për institucionet . Babasi: ”Kërkuam analizë dhe përfaqësim brenda maxhorancës”

Erald Kapri

Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht lideri i maxhorancës, ka premtuar për deputetët e tij se do të ketë ndryshime të ndjeshme në qeveri. Premtimi i kryeministrit ka ardhur ditën e djeshme, gjatë takimit me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike. Deputetët Besnik Mustafaj dhe Ndriçim Babasi kërkuan nga kryeministri Berisha një analizë mbi funksionimin e maxhorancës. Deputeti demokrat Babasi u shpreh për gazetën “Albania” se iu kërkua kryeministrit një analizë e brendshme mbi funksionimin e shumicës si dhe përgjegjësitë konkrete të institucioneve në ngjarjen e Gërdecit. “Kryeministri na premtoi se do të ketë analizë brenda maxhorancës e cila do të ndodhë mbas samitit të NATO-s në Bukuresht”, - u shpreh Babasi.
Kërkesa
Deputetët Babasi dhe Mustafaj kanë qenë të vetmit që kanë ngritur zërin ditën e djeshme gjatë takimit me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar. Mbas kërkesës së tyre, kryeministri Berisha nuk ka reaguar negativisht dhe as nuk ka debatuar me ta, por është pajtuar me kërkesën e tyre për një analizë të thellë në maxhorancë e cila duhet të shoqërohet me ndryshmie më përfaqësuese në qeveri. Njëkohësisht, deputetët kërkuan që t’i shkohet deri në fund ngjarjes së Gërdecit me nxjerren e përgjegjësisë së institucioneve si dhe thellimin e reformave në to. Ngjarjet politike të fundit si dhe reagimet e opozitës janë diskutuar gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar. Diskutimet kanë prekur edhe aleatët republikanë si dhe është diskutuar mbi ish-ministrin e Mbrojtjes, Mediu. Vetëm dy ditë më parë, kryetari i republikanëve, Mediu, është takuar me rreth 15 deputetët miq nga PD-ja ku ai u ka bërë të ditur pozicionin e tij në këtë ngjarje. Burimet bënë të ditur se ish-ministri Mediu u ka sqaruar deputetëve të PD-së pafajësinë e tij si dhe ka kërkuar një mbështetje politike në këtë moment të vështirë për aleatët republikanë. Parlamentarët e maxhorancës do të mbështesin kryeministrin Berisha me kushtin që maxhoranca të jetë më përfaqësuese.
Ndryshimet
Krijimi i një maxhorance më përfaqësuese, kërkesë e vazhdueshme e deputetëve të PD-së, është përsëritur edhe ditën e djeshme nga këta të fundit. Ndryshimi i vetëm ka qenë fakti i pranimit nga ana e kryeministrit se maxhoranca ka nevojë të thellë për një ridimensionim të saj çka nënkupton qartë se do të ketë ndryshime rrënjësore mbas samitit të NATO-s. Presionet brenda Grupit Parlamentar të PD-së kanë ardhur në rritje, gjë që u ndie edhe ditën e djeshme në mbledhjen e këtij të fundit. Takimi i disa ditëve më parë mes deputetëve rebelë të PD-së, të mbledhur nga Besnik Mustafaj, duket se ka dhënë mesazhin e tij te kryeministri. Ndryshimet në qeveri dhe në mënyrën e funksionimit të maxhorancës do të jenë evidente dhe të prekshme mbas samitit të NATO-s.

Balla: ”Berisha është takuar me Delijorgjin 17 orë mbas tragjedisë së Gërdecit”

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha se vetëm 17 orë pas tragjedisë në fshatin Gërdec është takuar me presidentin e kompanisë “Albademil” Mihal Delijorgji, i cili është nën pranga. Gjatë diskutimeve të djeshme në Kuvend, Balla u shpreh se takimi i kryeministrit Berisha është bërë në fshehtësi para se prokuroria të lëshonte mandatin për arrestimin e Delijorgjit. Sipas Ballës, ky takim është prova e qartë se kryeministri është i përfshirë në afera korruptive. Deklarata e deputetit Balla është kundërshtuar ashpër nga deputetët e maxhorancës Pal Dajçi dhe Ferdinand Xhaferri, të cilët e kanë quajtur deputetin Balla të papërgjegjshëm. Deputetët demokratë reaguan për shkak se në sallë nuk ka qenë i pranishëm përgjatë gjithë kohës kryeministri Berisha. Njëkohësisht, deputeti Balla ka akuzuar administratën e Kuvendit pasi, sipas tij, në procesverbalin e seancës së një jave më parë nuk kanë shënuar fjalën e plotë të kryeministrit, pikërisht pjesën kur kryeministri ka deklaruar që gazetën “New York Times” ta përdorin për letër higjienike. Deputeti Dajçi ka reaguar duke thënë se në procesverbal kjo deklaratë është përfshirë duke akuzuar deputetin kundërshtar Balla si të papërgjegjshëm. Debati për çështjen e Gërdecit ka ecur më tej nga deputetët opozitarë. Deputeti socialist Blendi Klosi u shpreh se çështja e Gërdecit ka sjellë disa pasoja të rënda dhe tregon qartë për aferat e qeverisë me armët. Gjatë seancës ka reaguar edhe numri dy i LSI-së, Pëllumb Xhufi. “Të gjithë shqiptarët kuptuan me ngjarjen e Gërdecit se kanë një qeveri që është e kapur nga korrupsioni dhe akoma më keq nga interesa kriminale. Me këtë tragjedi dështuan të gjitha institucionet, gjë që e ka pranuar edhe vetë kryeministri ynë”, - tha Xhufi. Në këtë debat ka reaguar edhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi. Ai u kërkoi deputetëve opozitarë që të mos i hedhin benzinë zjarrit pasi, sipas tij, nuk mund të ketë protesta apo situata të papëlqyeshme me banorët e prekur nga tragjedia e Gërdecit. Debati ka vazhduar më tej duke u përfshirë në debate të ashpra. Deputeti socialist Erion Braçe u shpreh se duhet një iniciativë për të kontrolluar kontot bankare të kryeministrit. Në këtë pikë, kryetarja Topalli tha se kjo duhet bërë për të gjithë ish-kryeministrat dhe ministrat gjë që nxehu gjakrat në Kuvend. Debati ka vazhduar më tej mes deputetëve të maxhoranës dhe opozitës kryesisht për çështjen e Gërdecit si dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Seanca më tej ka vazhduar me rendin e ditës ku kryetarja e Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive ka lexuar raportin e këtij institucioni mbi punën e vitit 2007.

1 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›