E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO-ja apel Rusisë për marrëveshjen e armëve konvencionale



NATO-ja i ka drejtuar apel Rusisë të rinjohë marrëveshjen për armët konvencionale, e cila synon kufizimin e armëve të rënda konvencionale në Europë. Situata e shfuqizimit të njëanshëm nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Rusisë i është ofruar një paketë me disa zgjidhje, me qëllim të mbajtjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, bëhet e ditur nga NATO-ja në Bruksel. Presidenti rus, Vladimir Putin, e shfuqizoi marrëveshjen për armët konvencionale në dhjetor të vitit të kaluar, si reagim ndaj planeve të Shteteve të Bashkuara për ngritjen e sistemit antiraketor në Europë. Marrëveshja për armët konvencionale do të luajë rol në takimin e NATO-s në prill në Bukuresht.

Përcaktimi i kufirit Kosovë-Maqedoni, proces i vështirë

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës kanë bërë të ditur se javën e ardhshme mund të mbahet takimi i parë i komisioneve për demarkacionin e kufirit Kosovë-Maqedoni. Qeveria kosovare thotë se qëndrimi i saj do të mbetet mbrojtja e interesave të shtetasve të saj, përderisa ajo maqedonase këmbëngul që të respektohet marrëveshja e vitit 2001. Puna në shënimin e vijës kufitare mes Kosovës e Maqedonisë mund të fillojë javën e ardhshme nga komisionet teknike të të dyja vendeve. Por, zyrtarët e të dyja palëve sinjalizojnë se procesi i demarkacionit nuk do të jetë i lehtë. Bekim Çollaku, nga Komisioni kosovar i demarkacionit, thotë se qëndrimi i palës kosovare do të jetë në përputhje me dispozitat e pakos së Ahtisarit. “Ekziston vullneti politik ndërmjet dy shteteve përkatëse që këtë kontest ta zgjidhin në mënyrën e duhur. Se si do të rrjedhë dinamika e punës është herët të paragjykohet, pasi nuk ka ndodhur ende takimi i parë. Në takimin e parë pritet të qartësohet edhe dinamika e punës edhe mënyra se si do t’i qasemi kësaj problematike”, - tha Çollaku.

Pakoja e Ahtisarit parasheh themelimin e një komisioni të përbashkët teknik nga Kosova dhe Maqedonia për përkufizimin e vijës fizike të kufirit dhe për trajtimin e çështjeve të tjera që dalin nga zbatimi i marrëveshjes së vitit 2001 mes ish-Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Maqedonisë. Kjo marrëveshje e nënshkruar nga ish-presidenti maqedonas, Boris Trajkovski dhe ai jugosllav, Vojisllav Koshtunica, sipas palës kosovare, ka dëmtuar Kosovën për 2500 hektarë, kryesisht tokë private e pronarëve shqiptarë. Zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë, Ivica Boçevski, shpreh gatishmërinë e palës maqedonase që të fillojë menjëherë punën në shënimin e vijës kufitare. Por ai nuk saktëson nëse pala maqedonase do të heqë dorë nga marrëveshja e vitit 2001. “Kjo ka qenë marrëveshje ndërkombëtare dhe tani ky komision i përbashkët ka për të punuar në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe ne konsiderojmë se kjo punë do të jetë teknike dhe do të lëvizim përpara sa më shpejt që të jetë e mundur”, - thotë Boçevski.

31 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›