Berisha premton në SHBA: Shqipëria, së shpejti me bursë
Kryeministri Sali Berisha ishte i ftuar nderi të mbyllte bursën amerikane të Nju Jorkut, NASDAQ, në Times Square. Para një audience të madhe amerikane, z. Berisha premtoi krijimin për herë të parë të bursës së Tiranës dhe përmendi faktin se Shqipëria gjatë këtij viti do të njohë rritjen ekonomike më të madhe në Evropë. Përshëndetja e z. Berisha përmes stacionit televiziv të NASDAQ Tower, u ndoq nga qindra qytetarë, të cilët ndodheshin aty me këtë rast, si dhe me kërshërinë për t’u njohur më nga afër me këtë vend kaq larg SHBA-ve.
Shqipëria, një vend i vogël, por befasuese në nismat e saj ekonomike. Kryeministri Sali Berisha që nga Nju Jorku premtoi dje ngritjen për herë të parë të bursës së Tiranës, e cila u jep mundësi kompanive shqiptare që të listohen në këtë treg të madh financiar. Kreu i qeverisë e bëri këtë deklaratë gjatë fjalimit që mbajti me rastin e mbylljes së bursës ditore të Nju Jorkut, NASDAQ, në Times Square, ku ai ishte i ftuari special. Një nismë e tillë vlerësohet si shumë e rëndësishme nga ekspertët e ekonomisë në vend, pasi sipas tyre, në këtë mënyrë, kompanitë shqiptare do të kishin më tepër mundësi financimi. Para një audience të madhe amerikane, ku u shfaqën edhe bukuritë shqiptare përmes ekranit më të gjerë në botë, atë të NASDAQ Tower, z. Berisha përmendi faktin se Shqipëria gjatë këtij viti do të njohë rritjen ekonomike më të madhe në Evropë. “Prezenca ime këtu është dhe një mesazh i fortë mbështetës për nismën e vendit tim për të pasur së shpejti bursën e saj ku kompanitë shqiptare do të kenë mundësitë të listohen si të barabarta në tregun e madh të mallrave dhe shërbimeve. Jam i lumtur që jam këtu, pasi përfaqësoj një vend të vogël i cili në ekonomi po ecën shumë mirë dhe tregues për këtë është fakti që Shqipëria këtë vit pritet të ketë rritjen më të madhe ekonomike në Evropë dhe kjo vjen pasi Shqipëria ndan të njëjtat principe si bursa e NASDAQ, e hapur, transparente dhe e lirë”, - theksoi z. Berisha. Duke e cilësuar një ditë shqiptare në NASDAQ, Kryeministri i vendit shprehu mirënjohjen për praninë e tij në këtë bursë, duke pohuar: “Është një inkurajim i madh për sipërmarrësit shqiptarë, të cilët po punojnë fort për t’u afruar sa më shpejt me ditën kur Shqipëria të ketë NASDAQ-un e vet për kompanitë shqiptare”.
Gjatë kësaj ceremonie, që tashmë është kthyer në një ceremoni tradicionale dhe mjaft popullore për Nju Jorkun, z. Berisha u prit nga zëvendëspresidenti i NASDAQ, i cili e shoqëroi Kryeministrin shqiptar në mjediset ku zhvillohet ky aktivitet. Gjatë orëve të ceremonisë u shfaqën pamje sugjestive nga vendet më të bukura dhe panoramike të Shqipërisë, si dhe një dokumentar i shkurtër për vendin tonë. Kryeministri Berisha përshëndeti aktivitetin, duke e cilësuar pjesëmarrjen e tij si një ogur të mirë për nismën e vendit tonë që edhe ai të ketë së shpejti bursën e tij. Përshëndetja e Kryeministrit Berisha përmes stacionit televiziv të NASDAQ Tower u transmetua në kohë reale në televizionet e profilizuara ekonomike më prestigjioze, si: CNBC, Bloomberg, FOX Business. Fjala e z. Berisha u ndoq nga qindra e qindra qytetarë, të cilët ndodheshin aty me këtë rast, si dhe me kërshërinë për t’u njohur më nga afër me këtë vend kaq larg SHBA-ve. Në mesin e tyre kishin ardhur edhe mjaft shqiptaro-amerikanë, të cilët prisnin me krenari të takonin Kryeministrin e vendit të tyre të origjinës. Kulla panoramike e NASDAQ është ekrani më i gjerë i botës. Në të transmetohen në kohë reale rezultatet e bursës amerikane, si dhe përshëndetjet e liderëve botërorë apo personaliteteve të tjera të shkencës, artit, botës së financës etj.