Sejdiu, Berishës: Së bashku për integrimin evropian
Kosova kërkon të ndjekë rrugën e Shqipërisë për sa i përket ecurisë së shpejtë të reformave integruese, ndaj dhe njeh si kontribut të drejtpërdrejtë në këtë drejtim atë të Kryeministrit Sali Berisha. Sipas Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Shqipëria dhe Kosova janë të përkushtuara të punojnë së bashku për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të të dyja vendeve tona dhe të gjithë rajonit. Kryeministri Berisha mori dje një mesazh urimi nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, për rizgjedhjen në këtë detyrë. "Republika e Shqipërisë tashmë ka kapërcyer procese të rëndësishme e historike dhe kontributi Juaj për këto arritje të mëdha ka qenë tepër i veçantë. Proceset demokratike, nëpër të cilat po kalojnë Shqipëria dhe Kosova, kanë hapur mundësi të panjohura më parë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha nivelet", - thuhet në mesazhin e Presidentit të Kosovës drejtuar Kryeministrit Berisha.