Projektet kundër varfërisë, Berisha takon nobelistin Yusuf
Nobelisti Mohammad Yusuf me projekte konkrete do të përkrahë qeverinë shqiptare në luftën kundër varfërisë dhe së shpejti ai do të vizitojë vendin tonë, për t’u njohur nga afër me nevojat dhe prioritetet e kësaj ndihme. Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Kryeministri Sali Berisha takoi nobelistin Mohammad Yusuf, një personalitet i njohur në botën e financës, i cili është nismëtari i revolucionit financiar të mikrokreditimit. Z. Yusuf ka qenë profesor i njohur në Chittangog University në Bangladesh, një vend me varfëri ekstreme, gjë që e bëri atë që të krijonte një skemë të mikrokreditimit të fermerëve të varfër në vendin e tij. Më pas, ai themeloi Grameen Bank, e cila në këto vite ka ndihmuar dhe përkrahur me mikrokredi mijëra e mijëra njerëz në mbarë botën, ndërmjet tyre 94% ishin gra të cilat ndryshuan krejtësisht jetën e tyre dhe të familjeve të tyre duke dalë nga mjerimi. Për këtë kontribut të madh në luftën kundër mjerimit dhe varfërisë, z. Yusuf iu akordua çmimi “Nobel”. Kryeministri Berisha e njohu z. Yusuf me zhvillimet dhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në vitet e fundit, duke u ndalur veçanërisht në luftën e vazhdueshme kundër mjerimit dhe varfërisë. Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të çrrënjosur përfundimisht mjerimin në vend dhe për të luftuar varfërinë.