E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave, PE shkurton procedurat për Shqipërinë



Parlamenti Evropian ndërmerr vendimin politik se Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina duhet t’i bashkëngjiten propozimit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave së bashku me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Një draft ligjor është përgatitur nga eurodeputetja e re sllovene, Tanja Fajon, duke bërë të mundur që të shmangë burokracinë më se 6 muaj të procesit. Në të njëjtën ditë, ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona McIlwham deklaroi nga Vlora mbështetjen për integrimin si dhe u shpreh për një opozitë në Kuvend.

Parlamenti Evropian jep një mesazh të fortë në favor të heqjes së vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Gjatë mbledhjes së djeshme, në seancë u paraqit një draft nga eurodeputetja e re sllovene, Tanja Fajon, çka do t’i lejojë të dyja vendeve një shkurtim procedurash. Drafti për këtë çështje thekson se sipas vlerësimit të Komisionit në maj 2009, këto dy vende kanë bërë progres të rëndësishëm e domethënës, ndaj duhet t’i përkasin të njëjtit propozim. “Mendoj se është shumë e rëndësishme që t’u dërgohet një mesazh i fortë dhe qytetarëve të Shqipërisë e Bosnjë-Hercegovinës. Unë nuk jam dakord që komisioni i la këto dy vende jashtë propozimit”, - u shpreh në seancë Fajon. Përfshirja e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës në të njëjtin propozim për amendimin e rregullores do të shmangte burokracinë më se 6-mujore të Brukselit. Kështu, nuk do të ishte e nevojshme një propozim i ri në mes të 2010-s nga Komisioni që do të pasohej, sipas procedurës, nga vota e Parlamentit dhe unanimiteti i vendeve anëtare në Këshill, por automatikisht heqja e regjimit të vizave do të bëhej e mundur sapo të vlerësohej se Shqipëria dhe Bosnja i plotësojnë kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Një tjetër amendament përfshin edhe nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave me Kosovën, pa paragjykuar statusin e shtetit të ri ballkanik. ”Ne po shohim mundësitë se si të angazhojmë Kosovën në këtë proces, në mënyrë që dhe qytetarët atje të mund të kenë një perspektivë të qartë evropiane”, - theksoi Fajon. Raporti do të votohet në seancën plenare të 24 nëntorit, për t’i kaluar më pas Këshillit të Bashkimit Evropian në dhjetor. Roli i Parlamentit për çështjet “Shengen” është konsultues dhe jo detyrues për këshillin me traktatet ekzistuese.

Në të njëjtën ditë, ambasadorja britanike ne Shqipëri, Fiona McIlwham, deklaroi nga Vlora se faktori ndërkombëtar nuk do të pranonte uljen e standardeve të arritura nga vendi. “Kushtet ekzistojnë dhe janë themelore për besueshmërinë dhe ritmin e procesit të zgjerimit. Dhe në klimën aktuale ekonomike dhe politike, dëshira për t’i ulur këto standarde, pavarësisht sa të forta janë argumentet gjeopolitike, është e vogël”, - tha ambasadorja. Ajo theksoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për integrimin e vendit dhe se qeveria e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit ka mbështetjen e plotë të Mbretërisë së Bashkuar. Mcllwham tha se deklaratat e Kryeministrit Berisha dhe zv.kryeministrit Meta për vazhdimin e mëtejshëm të reformave janë tepër inkurajuese. “Një vlerësim më të plotë për procesin integrues të Shqipërisë, - tha më tej ambasadorja, - Komisioni Evropian do ta paraqesë në progres-raportin e mestetorit.

E pyetur lidhur me vendimin e opozitës për të bojkotuar Parlamentin ambasadorja britanike u shpreh se vëmendja e të gjithëve tashmë është e fokusuar në integrimin evropian të vendit, proces në të cilin duhet të përfshihet edhe opozita. Deklaratat e ambasadores u bënë gjatë një takimi me studentët e Universitetit publik të Vlorës, me të cilët ka diskutuar për perspektivën evropiane të Shqipërisë.

Topalli i kërkon Suedisë mbështetje për vizat dhe statusin

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, priti dje në një takim në zyrën e saj zotin Lars Freden, ambasadorin e Suedisë, vend i cili ka presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Në këtë takim, Topalli u ndal në liberalizimin e vizave dhe kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE, ku kryetarja e Kuvendit theksoi rëndësinë e mbështetjes së Suedisë në afrimin e vendit tonë me Bashkimin Evropian. Duke theksuar rolin thelbësor të Parlamentit si pushteti i drejtpërdrejtë i sovranit, kryetarja e Kuvendit, e cila në mënyrë të përsëritur ka ftuar deputetët e opozitës të zënë vendin e tyre, nënvizoi se prania e opozitës në Parlament është shumë e rëndësishme për vetë opozitën, por edhe për vendin. “Parlamenti është vendi i debatit, vendi i negociatave dhe i konsensusit. Katër vitet e mandatit të kaluar janë dëshmi e konsensuseve të mëdha të arritura”, - tha Topalli në takim me ambasadorin suedez. “Procesi zgjedhor në 93 për qind të qendrave të votimit u vlerësua mirë dhe shumë mirë”, - nënvizoi më tej kryetarja e Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›