E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frattini, Metës: Brenda 2009-s, BE, vendime pozitive për Shqipërinë



Ministrat e jashtëm evropianë i shprehën dje homologut shqiptar, Ilir Meta, mbështetjen e vendeve të tyre për procesin integrues të Shqipërisë në BE dhe për liberalizimin e vizave. Përmes mesazheve të urimit për detyrën e re, ata nënvizuan edhe nevojën e përmbushjes së kushteve teknike, në kuadrin e këtij procesi. Ministri italian, Frattini, u shpreh optimist për marrjen, brenda këtij viti, të vendimeve të rëndësishme e pozitive të BE-së, lidhur me Shqipërinë; ministri i Jashtëm hungarez, Peter Balazh, ofroi ndihmën e vendit të tij në arritjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, duke ofruar asistencë në fushën e menaxhimit të kufirit, ku vendi i tij ka eksperiencë të pasur. Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, mori dje mesazhe urimi nga homologët e tij të Britanisë së Madhe, Rusisë, Danimarkës, Çekisë, Maqedonisë, Kinës dhe Egjiptit. Në mesazhin e tij, ministri i Jashtëm britanik, Miliband, premton mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar në procesin e integrimit të Shqipërisë. Sipas tij, roli ndihmues dhe konstruktiv i Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sidomos për Kosovën, është vlerësuar dhe do të mbetet i rëndësishëm. Edhe diplomatët çekë e rumunë kanë shprehur mbështetjen e vendeve të tyre ndaj reformave që po ndërmerr Shqipëria për t’u integruar në BE. Ndërsa ministri i Jashtëm rus ka shpresuar në dialogun konstruktiv, i cili do të ndihmojë në bashkëpunimin ndërkombëtar për të mirën e paqes dhe stabilitetit si në gadishullin e Ballkanit, ashtu edhe në Evropë në tërësi. Sipas zyrës së shtypit të ministrisë thuhet se në datën 24 shtator Meta është takuar me homologët e tij të Italisë, Holandës, Hungarisë, Australisë, Salvadorit, Ukrainës, Malit të Zi, Bahrejnit etj. Gjithashtu, ai mori pjesë në konferencën për lehtësimin e hyrjes në fuqi të Traktatit të Ndalimit të Plotë të Provave Bërthamore, CTBT. Gjatë takimeve me ministrin italian Franco Frattini, atë hungarez Peter Balazh dhe atë holandez Maxime Verhagen, u diskutuan çështje që lidhen me integrimin evropian të vendit, procesin e liberalizimit të vizave si dhe me intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe. Zv.kryeministri Meta vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe me vendet respektive dhe njëkohësisht u kërkoi kolegëve të tij evropianë mbështetjen e tyre për aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit për anëtar të Bashkimit Evropian, si dhe për përfshirjen e Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave të BE-së me vendet e rajonit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›