Merkel, Berishës: Rizgjedhja juaj, rëndësi për integrimin e Shqipërisë
“Rizgjedhja juaj si Kryeministër vjen në një moment të rëndësishëm për vendin, ndaj Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Shqipërinë në funksion të vijimit të suksesshëm të procesit të përafrimit euroatlantik”. Këto radhë përbëjnë tekstin e mesazhit urues për Kryeministrin Sali Berisha, të Kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, me rastin e rizgjedhjes së tij në krye të qeverisë. Po dje z.Berisha mori mesazhe urimi edhe nga homologët botërorë, kryeministri cek, kroat, malazez, kinez.
Shqipëria nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha e ka rrugën e hapur për në Bashkimin Evropian. Siguria vjen nga nje vend mik, si Gjermania. “Rizgjedhja e Sali Berishës Kryeministër vjen në një moment të rëndësishëm për vendin, ndaj Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Shqipërinë në funksion të vijimit të suksesshëm të procesit të përafrimit euroatlantik”. Këto radhë përbëjnë tekstin e mesazhit urues për Kryeministrin Sali Berisha, të Kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, me rastin e rizgjedhjes së tij në krye të qeverisë. Zyra e shtypit pranë Kryeministrisë bën të ditur se në këtë mesazh urimi znj. Merkel shprehet: “Ju jeni vënë në krye të kësaj detyre në një periudhë të rëndësishme për vendin tuaj". “Ne arritëm të realizojmë anëtarësimin e vendit tuaj në NATO në muajin prill, pikërisht në kohën e organizimit të samitit të NATO-s në Gjermani dhe Francë. Unë ju uroj juve dhe bashkëqytetarëve tuaj të keni forca të mëtejshme për reformat e nevojshme në funksion të vijimit të suksesshëm të procesit të përafrimit euroatlantik”, - thuhet në mesazhin e Kancelares Merkel. Gjatë ditës së djeshme, kryeministri Sali Berisha përmes mesazheve të shumta nga homologët botërorë, përveç urimeve për riemërimin në detyrën e kreut të qeverisë, merr edhe mbështetjen e tyre për reformat integruese. Kryeministri çek, Jan Fischer, siguroi dje se "Çekia do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin në Bashkimin Evropian". Z. Fischer i dërgoi dje një mesazh urimi Kryeministrit Berisha, me rastin e rizgjedhjes së tij në këtë detyrë. Po dje, z. Berisha mori një mesazh urimi nga Kryetari i Këshillit të Shtetit të Republikës Popullore të Kinës, Wen Jiabao, me rastin e rizgjedhjes së tij në këtë detyrë. Në mesazhin e tij, z. Jiabao thekson miqësinë e thellë dhe tradicionale që ekziston mes dy popujve. "Vitet e fundit, marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë zhvilluar në mënyrë të mbarë. Shkëmbimi i niveleve të larta të dy vendeve është shtuar dhe bashkëpunimi praktik në fusha të ndryshme është frutdhënës", - thuhet në mesazhin e z. Jiabao. Kurse Kryeministri i Malit të Zi, Milo Djukanovic, shkruan: “Përfitoj nga ky rast për të konfirmuar gatishmërinë e qeverisë së Malit të Zi dhe timen për të zgjeruar më tej marrëdhëniet midis dy vendeve tona miq dhe tradicionalisht afër, në bazë të fqinjësisë së mirë dhe interesit të përbashkët. Kam besim se bashkëpunimi ynë i suksesshëm, i bazuar në kuptimin dhe mbështetjen e ndërsjellë, do të vazhdojë në rrugën drejt synimeve strategjike të përbashkëta evropiane dhe euroatlantike, në të mirë të popujve dhe vendeve tona dhe rajonit ku ne banojmë si një i tërë”. Në mesazhin e tij, Kryeministri i Kroacisë, Jadranka Kosor, uron Kryeministrin Berisha për rizgjedhjen në këtë detyrë dhe shprehet “i kënaqur për nivelin e lartë të partneritetit midis qeverive dhe shteteve tona, si edhe besimin tim për të vazhduar zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona në të njëjtën frymë të bashkëpunimit dhe miqësisë, tani, gjithashtu, edhe brenda Aleancës së Atlantikut të Veriut”. “Në këtë kontekst, më lejoni të përdor këtë mundësi dhe të përsëris dëshirën time për të punuar ngushtësisht me ju për avancimin e vlerave tona të përbashkëta dhe mbështetjen e integrimit të Evropës Juglindore në strukturat euroatlantike”, - përfundon mesazhin e tij Kryeministri i Kroacisë.