E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha premton ngritjen e portit të kontenierëve në Vlorë

>Këshilli i Ministrave miraton vendimin për përcaktimin e autoritetit kontraktues
Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e djeshme miratoi disa vendime të rëndësishme në fusha si ndërtimi dhe arsimi. Pavarësisht problemeve të ndryshme që kanë mbërthyer të djathtën, Kryeministri Berisha vazhdon maratonën e tij të premtimeve. Në vazhdën e angazhimeve të qeverise për investime në fusha strategjike, ai gjeti momentin të propozonte ndërtimin e portit të kontenierëve në pyllin e Sodës në Vlorë. Vendimi për përcaktimin e autoritetit kontraktues u miratua në mbledhjen e djeshme. Gjithashtu u miratua dhe bonusi i procedurës përzgjedhëse konkurruese që do ti jepet shoqërisë ndërtuese. Ai tha se për shkak të thellësisë së ujërave të saj, Vlora do të ketë një  nga portet më  të mëdha konkurruese në  Mesdhe. Sipas tij, një kompani e madhe britanike ka shprehur interes për të ndërtuar në Vlorë një port me përmasa evropiane, dhe për ta bërë Shqipërinë një vend tërheqës për investitorë nga e gjithë bota. Vlora është përmendur me qindra e mijëra herë si vendi më i përshtatshëm për ndërtimin e portit më të madh të vendit, për shkak të thellësisë së ujërave. Por i takoi qeverisë sonë që këtë ëndërr ta shndërrojmë në realitet. Vlora do të ketë një nga portet më të mëdha të kontenierëve në rajon, u shpreh Berisha. Ndërsa qeveria do të marrë masat që në një kohë të shkurtër kjo zonë të ketë të gjithë infrastrukturën e nevojshme të transportit. Gjithashtu ai premtoi edhe ndërtimin e autostradës me katër korsi. Duke vlerësuar infrastrukturën e nevojshme të transportit,ai la të hapur mundësinë e ndërtimit të një aeroporti në një të ardhme jo shumë të largët. Duke siguruar mbështetje të fortë nga qeveria, ai premtoi se krahas portit, do të jetë dhe një zonë e lirë, përveç zonës industriale, ku grupi i biznesmenëve vlonjate do të të kenë investimet e tyre,u shpreh Kryeministri, duke vlerësuar se interesi i tyre është shumë të madh.
Arsimi
Në mbledhjen e djeshme, një vend të rëndësishëm zuri edhe arsimi. U miratua hapja vitin e ardhshëm akademik e Universitetit të Mjekësisë, si pjesë e reformës për zhvillimin dhe modernizimin e sistemit shëndetësor në vend. Në dekada, por edhe më gjatë ka ekzistuar edhe një hierarki në këtë sistem, midis komponentit universitar të saj dhe komponentit strikt mjekësor. Modelet më të pajtueshme sot, janë modelet universitare, u shpreh Berisha. Sipas tij, Universiteti i Mjekësisë do të harmonizojnë udhëheqjen diagnostike, kurative, shkencore, me menaxhimin e institucioneve qendrore spitalore, si dhe do ti përgjigjet larmisë së madhe të kërkesave e shërbimeve. Ai vlerësoi se tashmë ekziston një bazë solide për ngritjen e tij, duke qenë se Shqipëria ka një  fakultet  mjekësie të një niveli shumë të lartë, një numër të konsiderueshëm studentësh si dhe një ekip pedagogësh me eksperiencë. Ndaj dhe kërkoi njëherësh edhe shqyrtimin e modeleve të suksesshme. Ekziston një bazë e fuqishme, një ekip me shkallë të lartë profesionalizmi dhe eksperiencë të madhe. Sot, në fakultetet dhe degët e mjekësisë janë rreth 5500 studentë. Pra, ka një korpus të gjerë studentësh dhe pedagogësh. Në vetë natyrën e punës në këtë fakultet edhe numri i pedagogëve është i konsiderueshëm dhe duhet të jetë. Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë duhet të nisë punën për të shqyrtuar të gjitha modalitetet, tha Berisha, duke numëruar kështu të gjithë elementët që bëjnë të mundur hapjen e këtij universiteti. Sipas tij, kohë më parë është organizuar një udhëtim faktmbledhës në Austri, por gjithashtu edhe Gjermania ka modele të tilla. Fillimisht universiteti do të ketë mbështetjen financiare të qeverisë për të kaluar më pas tërësisht në fazën publike, ku autonomia dhe pavarësia e tij financiare do të jetë shumë më e madhe. Duke qenë se kjo është një sipërmarrje e madhe do të duhet një mbështetje e fuqishme buxhetore. Duhet të kemi parasysh se kjo mbështetje është jetike si për mësimdhënien, ashtu edhe për klinikat, për diagnozën, kurimin, shërimin, riaftësimin e të sëmurëve, deklaroi Berisha. Më tej shtoi se ngritja e universitetit mjekësor është një vendim në kohën e duhur, i lidhur ngushtë edhe me reformën në sistemin shëndetësor, për të cilën cilësia e shërbimit shëndetësor dhe rajonalizimi i plotë i tij mbeten dy objektivat më madhore të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›