Berisha president, konstitucionalistët kundër
Ambicia e kryeministrit për tu rikthyer në presidencë. Çfarë thotë kushtetuta për mandatet e presidentit dhe si mund të shfrytëzohet përvoja e ngjashme nga disa prej vendeve lindore. Reagimi i ekspertëve të kushtetutës, Luan Omari dhe Njazi Jaho dhe e papritura që mund të sjellë loja për pushtet
Precedentët e presidentëve
Kështu ka ndodhur në Rumani në rastin e Presidentit Iliesku, kur në vitin 2000 ai
kërkoi të marrë mandatin e tretë presidencial, pavarësisht se kushtetuta rumune e
ndalonte një gjë të tillë. Zoti Iliesku pretendoi se mandatet e tij të para, në dhjetor
1989-korrik 1990 dhe 1990-1992, vit kur u miratua edhe kushtetuta, nuk duhej të
numëroheshin si të tillë. E njëjta situatë edhe me ish-presidentin rus Boris Jelcin dhe
sërish e njëjta situatë edhe në Ukrainë dhe Ish-Jugosllavi. Rasti i pestë, nëse ju
besohet "zërave" parapolitikë për fatin e nesërm të zotit Berisha, mund të ndodhë në
Shqipëri. Kur kandidatura e mundshme e zotit Berisha për postin e Presidentit, do të
dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të saktësojë pikërisht këtë ndalesë të
kushtetutës. Deri në vitin 2012, do të duhet të rrjedhë shumë ujë dhe me siguri,
shumë më parë se kjo datë, do të jenë shpjeguar shumë horoskopë të tjerë politikë,
përfshi edhe atë personal të kryeministrit të sotëm. I cili sot është përfshirë në një
nga betejat e tij të rëndësishme: emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Të
cilët, nesër, me gjasë, mund të kenë në dorë edhe fatin e tij personal.
Janë vetëm fjalë, por ato nuk i shqiptojnë
vetëm kuriozët: çfarë ka përtej humorit të
përsëritur të kryeministrit Berisha se do të qëndrojë
në politikë për 35 vjet? A hyn në ambicjet
e tij një "replay" për postin e Presidentit, për një
mandat të tretë në Pallatin e Brigadave apo dhe
një të katërt? A ka fuqi prapavepruese Kushtetuta
e Republikës së Shqipërisë që përcakton vetëm
dy mandate presidenciale për një individ? MAPO
flet me konstitucionalistë dhe tregon përvojën e
ndryshme rumune, ruse, ukrainase apo dhe atë
të Ish-Jugosllavisë. Nuk jemi shumë ndryshe nga
demokracitë e reja të vendeve ish-komuniste
Premtimi i kryeministrit
"Do të qëndroj në politikë për 35 vjet". Kur
një premtim i tillë thuhet nga një njeri që në
politikën shqiptare ka afruar shembullin më të
jashtëzakonshëm të këmbënguljes proverbiale
drejt synimeve të tij individuale, atëherë ka një
arsye që kjo çështje të merret seriozisht. Të paktën
në mundësitë formale që ekzistojnë. Në fakt,
të qëndruarit në politikë për zotin Berisha, nuk
ka shumë alternativa. Për shembull, ai nuk mund
të jetë vetëm deputet i thjeshtë apo ministër ose
kryetar Kuvendi, për shkakun e vetëm se kush ka
provuar majën absolute, nuk mund të zbresë as
një gisht më poshtë, pavarësisht marrëdhënies
me kalin e pushtetit. Tashmë këto kostume i rrinë
ngushtë zotit Berisha. Rastet e kundërta analoge
gjetkë në Perëndim, janë përjashtim i fortë nga ky
rregull për të. Mbeten vetëm dy poste në të cilat
ai mund të vazhdojë të qëndrojë në politikë, të
cilët përfshijnë de facto në të parin dhe de jure në
të dytin edhe postin e kreut të PD-së.
Këto dy poste janë: Kryeministër ose President
i Republikës. Postin e parë e ka (s'dihet
edhe për sa kohë), i dyti, që bëhet vakant vetëm
në vitin 2012, do ta gjejë zotin Berisha në
moshën 68 vjeçare. Një moshë më shumë presidenciale,
sesa kryeministrore. Por dhe një
moshë ideale që të jep mundësinë që të drejtosh
i "qetë", me cilësinë e komandantit të
përgjithshëm, Forcat e Armatosura, të dekorosh
a gradosh gjeneralë, të dekretosh ligje apo
të drejtosh mbledhjet e KLD-së (sidomos tani,
kur këto forume po marrin ngjyrë blu). Dhe
mbi të gjitha, një post që afron qetësi dhe imunitet
për të paktën pesë vjet. Një detaj jo i
parëndësishëm. Pastaj puna shkon me të parë
e me të bërë, pavarësisht se deri në cakun e
premtimit për të qëndruar në politikë deri
në vitin 2025, me dy mandate presidencialë,
mbeten "zbuluar" edhe vetëm tre vjet të tjerë.
Mundësitë teorike
Zoti Berisha e ka pasur dy herë fronin e presidentit.
Po aq sa dhe postin e kryeministrit të
vendit deri më tani. Ka kohë, që "fantapolitika"
në Tiranë, përmend herë me siguri e herë vetëm
si një mundësi teorike faktin se ekziston një plan
"sekret" për të nesërmen vetjake dhe politike të
zotit Berisha; një plan që lidhet me Presidencën
e tretë të njeriut që hyri në politikë me pardesy
të bardhë, por pa hequr ende bluzën e bardhë të
mjekut. Vetë zoti Berisha e ka mohuar publikisht
më shumë se një herë këtë mundësi. Ai ka
pohuar në intervista të ndryshme të tij se presidenca
nuk përfshihet në planet e tij. Por kjo nuk
ka qenë e mjaftë që tek njerëzit pranë tij të mos
qarkullojë ky opsion. Madje në një nga zyrat më
të rëndësishme të shtetit, e konsiderojnë edhe si
fakt të kryer: në 2012, Berisha do të synojë të
zëvendësojë zotin Topi në Pallatin e Brigadave.
Mundësitë praktike
"E megjithatë rrotullohet"