Topalli kërkoi dje votën pro të PS për aplikimin e votimit të hapur ndaj dekreteve të Topit
Ndryshimi i Rregullores së Kuvendit
Mazhoranca në pritje të konsensusit të opozitës
TIRANË- Shtyrja nga Kuvendi për javën që vjen e miratimit të ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit mbi mënyrën e votimit të dekreteve të Presidentit për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, ka të bëjë me faktin se mazhoranca është ende në pritje të konsensusit të opozitës për ndryshimet përkatëse në Rregullore.
Dy amendamentet e paraqitura nga deputetët e pozitës për ndryshimin e procedurës së miratimit të kandidaturave të propozuara nga Presidenti, parashikojnë që të kalohet nga votim i fshehtë në votim të hapur.
Por miratimi i këtyre ndryshimeve në Rregulloren e Parlamentit, kërkon edhe votën pro të deputetëve socialistë, të cilët nga ana e tyre, propozimin e shumicës e kanë cilësuar si antikushtetues dhe cenim të parlamentarizmit. Për miratimin në unison të ndryshimeve të Rregullores së Kuvendit, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në një prononcim për mediat theksoi dje se për kalimin e kësaj çështjeje nevojitet fryma bipartizane dhe sipas saj, Parlamenti është në momentin që kërkon kompromis për miratimin e këtyre ndryshimeve.
"Janë mbledhur të gjitha këto praktika, janë diskutuar në mbi 5 mbledhje të Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, i cili është institucioni që konsiderohet bipartizan, sepse në tema të tilla të mëdha për shtetin tonë është shumë e rëndësishme që të kesh frymë bipartizane. Nuk ka kënaqësi më të madhe për mua si Kryetare e Kuvendit sesa të gjej frymën bipartizane në trajtimin e kësaj çështjeje, pavarësisht votës në finale. Pas 20 vitesh, Parlamenti është në momentin që kërkon kompromis, kërkon raport përgjegjësie ndaj shtetit dhe ndaj qytetarit në raport me ekonominë, padyshim në raport me heqjen e vizave dhe integrimin e vendit",- tha dje Topalli.
Duke e cilësuar Kuvendin si institucionin qendror të vlerësimit të votës, Topalli duke kërkuar vendosjen e procedurës së votimit të hapur kërkon të zhvlerësojë rolin e deputetit duke e cilësuar votën e tyre në votimin e fshetë si jo thelbësore, për më tepër sipas saj edhe në konflikt interesi që mund të ketë një deputet i caktuar me kanidaturën e propozuar nga Presidenti për anëtar të Gjykatës së Lartë apo të asaj Kushtetuese. "Në bazë të leximit që ne i bëjmë Kushtetutës, ajo e thërret Kuvendin e Shqipërisë, i kërkon Kuvendit të Shqipërisë që të japë një vlerësim substancial dhe votimi substancial nuk është votimi individual i deputetit. Vlerësimi substancial është i institucionit të Kuvendit.
Do të ishte papërgjegjshmëri nëse në një votim të fshehtë, një deputet i caktuar për shkak të një lidhjeje miqësore, të një njohjeje personale të jepte një vlerësim mbi një institucion kaq të rëndësishëm siç është pushteti gjyqësor",- u shpreh ajo. Kryeparlamentarja Topalli nënvizoi gjithashtu se Kuvendi u është referuar disa shembujve në Evropë për procedurën e votimit të kandidaturave, dhe sipas saj, të dyja mënyrat e votimit janë demokratike, por procedura e votimit të hapur sipas Topallit ka transparencën më të madhe.
"Ne kemi një raport shumë interesant të Komisionit të Venecias, i cili, pas një opinioni, një analize të marrë nga të gjitha procedurat parlamentare në Europë, flet për mënyrat e votimit dhe procedurat në parlamente të ndryshme, duke i konsideruar të gjitha këto mënyra votimit, të hapura apo të mbyllura, si demokratike, si standard më i lartë natyrisht vlerësohet aty ku transparenca është më e madhe",- nënvizoi kryetarja e Kuvendit. Socialistët e kanë kundërshtuar futjen e votimit të hapur pasi sipas tyre mazhoranca kërkon ta kontrollojë votën në mënyrë politike.
Shtyrja e miratimit të ndryshimeve ka bërë që procesi i kalimit të tre dekreteve të kreut të shtetit për anëtarë të Gjykatës së Lartë, që janë depozituar në Kuvend, të dalë jashtë kornizës ligjore. Kjo vjen pasi ditën e hënë skadon afati tre javor që Komisioni i Ligjeve, sipas rregullores aktuale, ka në dispozicion për të shqyrtuar dhe miratuar raportin e 3 dekreteve të Presidentit. Megjithatë, në fillimjavë do të nisë edhe seanca dëgjimore për tre kandidaturat, ku ditën e hënë Komisioni i Ligjeve do të dëgjojë kandidatin Medi Bici, për të vazhduar më pas ditën e martë dhe të mërkurë, me kandidaturat respektive, Sokol Çomo dhe Vehxhi Muçmata.
Topalli: Opozitës i ofroj çdo hapësirë ligjore, por jo transparencën e zgjedhjeve
Ndërsa ka kërkuar konsensusin e opozitës për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit për vendosjen e votimit të hapur ndaj dekreteve të kreut të shtetit, po dje kryeparlamentarja Jozefina Topalli nuk ka dhënë asnjë përgjigje ndaj kërkesave të opozitës për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, kur pas disa ditësh pritet të mbërrijë në Tiranë kreu i Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, Xhozef Daul, i cili do të takohet edhe me vetë Topallin për të diskutuar mbi dështimin e negociatave në Bruksel dhe mundësitë e gjetjes së një zgjidhjeje me opozitën të krizës politike.
Duke i konsideruar zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të kaluar si zgjedhjet më të mira, Topalli kërkoi që opozita të njohë rezultatin e tyre, ndërkohë që opozita e ka bërë me kohë një gjë të tillë, ajo kërkon transparencën e zgjedhjeve parlamentare për shkak të manipulimeve që mund të jenë kryer në procesin e numërimit të votave. "Janë zgjedhjet të cilat për herë të parë në Shqipëri janë vlerësuar më të mirat, pas një procesi të gjatë vuajtjesh me problemet elektorale dhe kjo e bën çdo shqiptar që të ndihet i barabartë në thellësinë dhe në pjekurinë e trajtimit të një dite kur shqiptarët vetë janë gjykatësit. Kështu që në këtë aspekt, pas ditës së votimit detyra e parë për partinë që votuesit e kanë caktuar në detyrën që të bëjë opozitën, është të pranojë rezultatin dhe të nderojë verdiktin e qytetarëve",- theksoi Topalli.
Ajo vuri në dukje se opozitës do t'i jepet çdo hapësirë dhe çdo e drejtë ligjore, por jo kërkesa e saj themelore. "Roli i opozitës është i shenjtë dhe unë si Kryetare e Kuvendit e kam për detyrë që t'i respektoj në çdo hapësirë dhe në çdo të drejtë ligjore dhe të kem të gjithë fleksibilitetin për t'i mbështetur, pasi ne si shqiptarë kemi të njëjtat qëllime",- specifikoi kryetarja e Kuvendit. Ajo shtoi se opozita duhet të jetë bashkëpunese me mazhorancën për të realizuar çdo reformë, ndërsa kërkoi që opozita të jenë kritike ndaj qeverisë dhe jo ndaj shtetit pasi sipas Topallit kjo do të ishte mjaft e rëndë.