E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllen dyert e qendrave të votimeve

(E plotësuar) Në ora 19.00 janë mbyllur dyert e qendrave të votimeve në Partesh, ku gjatë ditës qytetarët e kësaj komune, e cila banohet nga komuniteti serb kanë votuar për zgjedhjen e kryetarit dhe këshilltarëve komunalë, ndërkaq votat mund t’i hedhin vetëm edhe ata qytetarë që kanë qenë duke pritur para vendvotimeve.

Qytetarët e Parteshit, komunë kjo e krijuar sipas planit të decentralizimit, të dielën kanë votuar për të parin e komunës dhe 15 këshilltarët komunalë.

Në zgjedhjet për kryetar të komunës së Parteshit kandidojnë Vesna Jovanoviq nga Iniciativa qytetare së bashku për mbijetesë, Goran Millosheviq nga Partia Socialdemokrate Serbe, Todor Mirkoviq nga Iniciativa e listës serbe të bashkuar JSL dhe Nenad Cvetkoviq nga Iniciativa qytetare Zaviçaj.

Sipas informacioneve të Komisionit Qendror Zgjedhor deri në ora 16.00 kanë votuar 45.78 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, përderisa procesi në përgjithësi ka qenë i qetë.

Rezultatet preliminare pritet të publikohen sonte prej orës 22.00-23.00.

Deri në ora 16.00 kanë votuar mbi 45 për qind e qytetarëve

Drejtues të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), kanë bërë të ditur për pjesëmarrje të lartë të votuesve në zgjedhjet për kryetar dhe këshilltarë të komunës së re të Parteshit.

Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, në konferencën për media të dielën, ka thënë se në Partesh deri në ora 16.00 kanë votuar 1.606 votues, ose 45.78 për qind.

“Nga informatat që kemi marrë nga KKZ-ja në Partesh deri në orën 16.00 numri i votuesve që kanë votuar është 1.606 votues e që në përqindje është 45.78 për qind. Në qendrën e votimit 3601 /D në Budrigë të Poshtme, e cila ka një vendvotim pjesëmarrja në votim është 547 votues. Në qendrën e votimit 3602/D në Partesh, e cila ka dy vendvotime pjesëmarrja në votim është 337 votues. Në qendrën e votimit 3603 /D në Pasjan, e cila ka dy vendvotime pjesëmarrja në votim është 722 votues”, ka thënë Daka.

Për më tepër, zyrtarët e KQZ-së thanë se procesi në përgjithësi po rrjedhën pa probleme dhe se nuk janë shënuar incidente.

Në zgjedhjet për kryetar të komunës së Parteshit kandidojnë Vesna Jovanoviq nga Iniciativa qytetare së bashku për mbijetesë, Goran Millosheviq nga Partia Socialdemokrate Serbe, Todor Mirkoviq nga Iniciativa e listës serbe të bashkuar JSL dhe Nenad Cvetkoviq nga Iniciativa qytetare Zaviçaj.

Qendrat e votimeve do të mbyllen në ora 19.00 të mbrëmjes. Rezultatet preliminare pritet të publikohen prej orës 22.00-23.00.

KQZ: Janë hapur me kohë të gjitha qendrat e votimeve në Partesh

Drejtues të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) në konferencën e parë për media kanë bërë të ditur se janë hapur me kohë të gjitha qendrat e vendvotimeve në komunën e re të Parteshit, ku të dielën po votohet për kryetar komune dhe këshilltarë komunalë.

Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, ka thënë se në komunën e Parteshit të tri qendrat e votimeve dhe pesë vendvotimet janë hapur me kohë ashtu sikurse është paraparë në ora 7.00.

“Nga raporti që kemi marrë nga KKZ-ja Partesh në ora 7.00 janë hapur të gjitha qendrat e votimeve. Janë gjithsej tri qendra të votimit me pesë vendvotime. Numri total i votuesve është 3.508, ndërsa janë edhe dy ekipe me nevoja të veçanta që do të jenë në shërbim të 32 votuesve”, ka thënë Daka.

Konferenca e radhës e KQZ-së është në ora 13.00, ku do të dilet me numrin e qytetarëve që kanë votuar deri në ora 11.30. /kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›