Berisha pret Grossruck: Zgjedhjet, standartet më të larta ndërkombëtare
Tiranë- Në ditën e heshtjes zgjedhore të partive politike në vend, kryeministri Berisha priti në një takim Presidentin e Asamblesë parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck dhe delegacionin që e shoqëronte.
Sipas njoftimit zyrtar kryeministri Berisha ‘falenderoi Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, për mbështetjen e vazhdueshme që po i dëshmojnë sërish Shqipërisë me ekipin e gjërë të vëzhguesve, të cilët do të ndjekin nga afër procesin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të ditës së diel në vendin tonë’.
Siç njofton Kryeministria nga ana e tij ‘zoti Wolfgang Grossruck…i shprehu kryeministrit Berisha vlerësimet e tij më të larta dhe përgëzimet më të sinqerta, për fushatën elektorale intensive dhe transparente të zhvilluar në Shqipëri gjatë kësaj periudhe në një atmosferë tërësisht të qetë pa kurrfarë incidenti dhe në një klimë thellësisht të civilizuar brenda, së cilës partitë politike shpalosën platformat dhe programet e tyre’.
Mësohet se kryeministri Berisha ‘e siguroi zotin Grossruck se qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur dhe e angazhuar, që këto zgjedhje të shënojnë standardet më të larta ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe shfrytëzoi rastin për të falenderuar komunitetin ndërkombëtarë për numrin e madh të vëzhguesve, të cilët ndodhen tashmë në Shqipëri dhe do të kenë mundësinë të shikojnë nga afër mbarëvajtjen e këtij procesi, i cili padyshim do të jetë procesi zgjedhor më i mirë i zhvilluar në Shqipëri gjatë këtyre dy dekadave’.