E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pret Morattin: Bashkëpunim me Milanon për transportin kryeqytetas Kryeministri Berisha dhe kryetaria e bashkisë së Milanos Letizia Moratti, në konferencë për shtyp

Kryeministri Berisha priti sot kryetaren e bashkisë së Milanos, njëkohësisht koordinatore e qeverisë italiane për ekspozitën “Ekspo Milano, 2015”, Letizia Moratti. Pas takimit, në prani të Kryeministrit Berisha, u nënshkrua Deklarata e Përbashkët midis Shqipërisë dhe Italisë mbi “Ekspo Milano, 2015”, nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti dhe nga kryetarja e bashkisë së Milanos, Moratti. Kjo deklaratë u nënshkrua nga Shqipëria dhe Italia, si dy vende anëtare të kryesisë ndërkombëtare të ekspozitave, në kuadër të këtij evenimenti të rëndësishëm. Argumenti i propozuar për “Ekspo Milano, 2015” është “Të ushqesh planetin, energji për jetën”. Nënshkrimi i deklaratë së përbashkët u pasua nga deklarimet për median e pranishme në ceremoninë e nënshkrimit, të Kryeministrit Berisha dhe zonjës Moratti. Në komunikimin për shtyp, kryeministri Berisha tha se kryetarja e bashkisë së Milanos dhe koordinatore e qeverisë italiane për ekspozitën e Milanos, 2015, u angazhua të krijojë një eveniment shumë të rëndësishëm për Shqipërinë, për të ekspozuar të gjitha mundësitë dhe potencialet e saj para investitorëve ët Milanos. Ai tha gjithashtu se diskutuan edhe për problemet e trafikut dhe të transportit të kryeqytetit të vendit. “Problemet dhe mangësitë serioze në këtë sektor mundojnë dhe lëndojnë çdo ditë qytetarët e Tiranës. Ministria e Punëve Publike dhe Transportit do të bashkëpunojë me një prej kompanive kryesore në fushën e transportit të Milanos, të studiojmë se cila është mënyra më e mira dhe ndërhyrja më eficente, për të lehtësuar qytetarët e kryeqytetit në lëvizjen e tyre të përditshme”, bëri të ditur Berisha. Lidhur me këtë çështje, kryebashkiakja e Milanos tha se i ka ofruar Kryeministrit të Shqipërisë bashkëpunim për sa i përket studimit të fizibilitetit që lidhet me çështje të trafikut dhe të qëndrueshmërisë së trafikut në qytet, duke qenë se Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë dhe që mund ta shfrytëzojë sa më mirë atë. “Dhe, besoj, se do të jetë qeveria dhe autoritetet vendore që do të vendosin si ta shfrytëzojnë këtë studim, që ne ia kemi ofruar falas qeverisë shqiptare”, u shpreh Moratti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›