E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha pret Mujezinoviqin

Nga Express më 06 shkurt 2011 në ora 16:30

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, priti në një takim kryeministrin e Federatës së Bosnje e Hercegovinës, Mustafa Mujezinoviqin, i cili ndodhet në Tiranë në kuadrin e festimeve të përbashkëta për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian, për të dy vendet.

Në këtë aspekt, heqja e vizave me Bashkimin Evropian u vlerësua një ngjarje madhore në historinë e të dyja vendeve.

“Ne po festojmë një arritje historike për të dy vendet, por në veçanti për vendin tim, pasi Shqipëria ka përjetuar izolimin më të egër në Evropë”, tha Berisha.

Kryeministri Mujezinoviq falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen për realizimin e kësaj ngjarje dhe i shprehu admirimin për nivelin e lartë të artistëve shqiptarë gjatë paraqitjes së tyre në Sarajevë, më 3 shkurt.

“Artistët tuaj janë të shkëlqyer. Ata e promovuan vendin e tyre në mënyrën më të mirë”, tha Mujezinoviq.

Të dy kryeministrat e konsideruan këtë ngjarje si një kapitull të ri edhe në bashkëpunimin kulturor midis dy vendeve, duke shprehur bindjen se ky hap i rëndësishëm do të pasohet nga bashkëpunime të tjera.

Gjatë takimit u vlerësuan me kënaqësi marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve, si dhe u theksua se ekzistojnë hapësira të mëdha për bashkëpunim të frytshëm në fusha me interes reciprok, në ekonomi, në energjetikë, turizëm etj.

Berisha i shprehu Kryeministrit Mujezinoviq mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për aspiratën e Bosnje Hercegovinës për anëtarësim në NATO, si dhe angazhimin për të bashkëpunuar edhe në realizimin e projektit të integrimit në BE.

Kryeministri Berisha e njohu Kryeministrin Mujezinoviq edhe me situatën e vështirë, të krijuar si pasojë e përpjekjeve të liderit të opozitës për të marrë pushtetin me dhunë.

Kryeministri Berisha tha se është i vendosur që çdo gjë të zgjidhet në kuadrin e institucioneve dhe shtetit ligjor dhe se në këtë situatë të vështirë, vetëm drejtësia e paanshme dhe e pavarur është dhe mbetet thelbësore për përfundimin dhe daljen nga kriza e shkaktuar nga grushti i shtetit i mbetur në tentativë, i organizuar nga kryetari i opozitës.

Mujezinoviq, duke uruar që vendi ta kalojë këtë situatë, theksoi se përdorimi dhe instrumentalizimi i dhunës për përmbysjen e institucioneve legjitime janë të papranueshme në demokraci.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›