Cheney lavdëron Mubarakun

Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Dick Cheney, e vlerësoi presidentin e Egjiptit, Hosni Mubarakun, si njeri të mirë dhe mik të fortë të Shteteve të Bashkuara, por tha se populli egjiptian do të vendosë për fatin e tij si lider.
“Në fund të fundit, çdo gjë që do të vijë, do të vendoset nga populli”, tha ai.
Cheney ishte sekretar i mbrojtjes së SHBA-së në vitin 1990, kur Iraku pushtoi Kuvajtin.
Ai tha se Mubarak ishte një kontribuues i madh në reagimet ushtarake kundër Bagdadit.
Cheney po ashtu i ka bërë thirrje administratës së presidentit Barack Obama të veprojë me kujdes ndaj situatës në Egjipt.
Obama nga ana e tij u ka bërë thirrje udhëheqësve të Gjermanisë, Britanisë dhe të Emirateve të Bashkuara të diskutojnë situatën në Egjipt dhe nevojën e ndryshimeve politike atje.
Shtëpia e Bardhë tha se “presidenti ka theksuar rëndësinë e një tranzicioni të rregullt dhe paqësor, që do të fillonte tani”.
Obama po ashtu ka shprehur “shqetësimin e tij serioz për dhunën ndaj gazetarëve dhe grupeve për të drejtat e njeriut”.
Presidenti amerikan ka ripohuar se “qeveria e Egjiptit ka përgjegjësi për të mbrojtur të drejtat e popullit të saj dhe të lirojë menjëherë ata që janë arrestuar padrejtësisht”.